Messi në vendin e dytë, Ronaldo në majë! Renditja që ndez sërish debatin mes dy gjigantëve
Cristiano Ronaldo është zgjedhur si sezoni më i mirë në historinë e çmimit B.O.A.T. për vitin 2008, duke e mbyllur një sfidë simbolike me Lionel Messi.

Cristiano Ronaldo ka fituar një tjetër vlerësim prestigjioz, këtë herë për sezonin e tij të jashtëzakonshëm me Manchester United. Viti 2008 u rendit mbi sezonet më të mëdha të Lionel Messi dhe legjendave të tjera të futbollit në votimin për çmimin B.O.A.T.
Sezoni i vitit 2008, kur portugezi triumfoi për herë të pare në garën për "Topin e Artë", është zgjedhur si edicioni më i mirë në historinë e çmimit prestigjioz individual. Ky vlerësim u dha përmes votimit të tifozëve për çmimin B.O.A.T. (Best of All Time), një iniciativë që synon të identifikojë sezonin më të madh mes fituesve të “Topit të Artë”, në kuadër të 70-vjetorit të këtij trofeu.
Në atë periudhë, Ronaldo ishte pjesë e Manchester United dhe përjetoi një nga sezonet më të suksesshme të karrierës së tij. Ai shënoi 42 gola në të gjitha kompeticionet, ndihmoi skuadrën angleze të fitonte Premier League dhe Champions League, si dhe siguroi “Këpucën e Artë” europiane. Performancat e tij e çuan drejt çmimit të pare “Topi i Artë”, të cilin e fitoi në vitin 2008, para se të dominonte serish futbollin botëror me katër triumfe të tjera në vitet 2013, 2014, 2016 dhe 2017.
Në këtë renditje, vendi i dytë i takoi Lionel Messi për vitin e tij të jashtëzakonshëm 2012, ndërsa sezoni i Ronaldos në vitin 2017 u pozicionua i treti. Kështu, dy rivalët që kanë dominuar futbollin e dekadave të fundit vazhdojnë të jenë në qendër të debatit edhe kur bëhet fjalë për sezonet më të mira individuale. Megjithatë, votimi nuk percakton se cili prej tyre është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, por se cili sezon i një fituesit të “Topit të Artë” konsiderohet më i veçanti nga tifozët.