"Policia nën akuzë për përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestave në Tiranë"
Policia shqiptare është nën akuzë për përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestave në Tiranë, të cilat kanë rezultuar në plagosjen e të paktën 16 protestuesve dhe qytetarëve. Incidentet kanë ndodhur gjatë valës së protestave që ka përfshirë kryeqytetin shqiptar prej mesit të tetorit.

Qendra e Tiranës ishte mbuluar nga retë e gazit lotsjellës pasditen e 24 tetorit, ndërsa krismat e armëve të policisë përziheshin me shpërthimet e kapsollave dhe fishekzjarrëve të protestuesve. Mes përplasjeve pranë Teatrit të Kukullave, Erjon Vishkulli, një i ri nga Elbasani dhe pjesëtar i grupimit të tifozëve “Tifozët Kuq e Zi”, u godit nga një plumb gome në syrin e majtë. Vishkulli u transportua në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë dhe më pas me një avion mjekësor drejt Italisë, ku mjekët po përpiqen t'i shpëtojnë shikimin.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN bazuar në pamje filmike, dëshmi të të plagosurve, raportime publike, si dhe dhe raporte nga organizatat e të drejtave të njeriut, identifikojnë të paktën 16 raste të protestuesve dhe qytetarëve të lënduar nga predhat kinetike të policisë mes 17 dhe 24 tetorit. Të plagosurit kanë marrë goditje në kokë, fytyrë, qafë, kraharor, bark dhe shpinë, ndërsa disa prej tyre paraqisnin plagë të shumëfishta nga predhat.
Gjashtë gazetarë raportuan gjithashtu se ishin goditur me plumba gome gjatë ushtrimit të detyrës. Lloji i plagosjeve, si dhe pamjet filmike që tregojnë efektivët duke qëlluar në drejtim horizontal, ngrenë dyshime serioze për respektimin e standardeve ndërkombëtare që kufizojnë përdorimin e armëve të tilla kundër protestuesve.
Ekspertët e të drejtave të njeriut dhe të sigurisë vlerësojnë se mënyra e përdorimit të këtyre armëve gjatë protestave studentore në Tiranë mund të përbëjë shkelje të këtyre standardeve. “Plumbat e gomës dhe predhat e tjera kinetike nuk janë armë të zakonshme për të menaxhuar një turmë protestuesish, pasi standardet ndërkombëtare i trajtojnë si mjete të jashtëzakonshme, të lejuara vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale,” tha Erida Skëndaj, juriste e të drejtave të njeriut.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se kishte kërkuar vazhdimisht që çdo ndërhyrje policore të ishte proporcionale dhe brenda kornizës ligjore. “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, si me iniciativën e saj, ashtu edhe në vijim të 63 ankesave dhe denoncimeve të administruara, po kryen hetimet dhe verifikimet përkatëse për secilin rast,” deklaroi Demo. “Askush nuk është mbi ligjin. As ai që proteston, as ai që mban uniformën dhe ka detyrimin ta zbatojë atë”, shtoi ai.