Sekuestrohen 265 kg drogë dhe 2 mina antitank, arrestohen 4 persona, 3 në kërkim
Sekuestrohen 265 kg drogë dhe 2 mina antitank, arrestohen 4 persona, 3 në kërkim në Shkodër.

Në një operacion antidrogë të zhvilluar në Malësinë e Madhe, policia shkodrane ka sekuestruar 265 kg drogë dhe 2 mina antitank. Katër persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Personat dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me prodhimin, magazinimin, paketimin dhe trafikimin e sasive të medha të kanabisit.
Operacioni i koduar "POLINOMI" u finalizua pas katër muajsh hetime, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë. Ndërhyrja u zhvillua në lagjen "Guraj", në Malësinë e Madhe, ku efektivët ndaluan një automjet tip "Volkswagen Passat". Kontrollat e ushtruara në automjet dhe në banesat e dy vëllezërve Bujar dhe Naim Kukaj çuan në zbulimin dhe sekuestrimin e 265.4 kilogramëve lëndëve të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e përpgatitur dhe e paketuar për shitje dhe trafikim.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të Bujar Kukajt, u gjetën edhe dy mina të dyshuara antitank. Ato iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminim. Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithashtu shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete.
Sipas Policisë, nga hetimet paraprake rezulton se familjarët Kukaj dyshohet se merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndëve narkotike, ndërsa tre personat e tjerë dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë. Policia vijon kërkimet për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime të tjera hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.