Mbi 200 kg kanabis, arrestohen 4 persona në Shkodër! Shpallen në kërkim 3 të tjerë
Një operacion i Policisë së Shkodrës ka rezultuar në arrestimin e 4 persona për trafikim dhe prodhim i narkotikëve, dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtues Dashamir Spaho ka bërë një konferencë për mediat për të njoftuar rezultatet e një hetimi 4-mujor. Një grup kriminal, që përbëhej nga 7 persona, ishte akuzuar për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale". Ata kishin krijuar një grup kriminal për të shitur brenda dhe jashtë shtetit, mbi 265 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Policia ka sekuestruar drogën e gjetur gjatë kontrolleve, minat dhe 6 mjete që përdoreshin nga grupi. Të 7 këta shtetas, të identifikuar si pjesëtarë të një grupi kriminal në fushat e prodhimit dhe trafikimit të sasive të mëdhaja të lëndëve narkotike, janë banues në Malësi të Madhe dhe kanë precedentë të mëparshëm kriminalë, për veprimtari në të njëjtat fusha. Në kuadër të megaoperacionit “POLINOMI”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndërhynë në lagjen “Guraj”, Malësi e Madhe, ku ndaluan automjetin tip “Volksëagen Passat” që drejtonte shtetasi E. R.. Nga kontrollet në këtë automjet dhe në banesat e shtetasve të arrestuar, B. K. dhe N. K., u gjetën në total dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 265,4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e përgatitur dhe e paketuar për shitje dhe për trafikim. Më tej, nga kontrollet e mëtejshme, në një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit B. K., u gjetën 2 mina të dyshuara antitank, të cilat iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura, për ekzaminim të mëtejshëm. Ndërkaq, lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 celularë dhe 6 automjete që përdoreshin për transportimin e saj. Gjatë periudhës hetimore ka rezultuar se shtetasit B. K., N. K., D. K. dhe E. K., familjarë të njëri-tjetrit, magazinonin dhe paketonin lëndën narkotike, ndërsa shtetasit A. S., E. R. dhe A. M. organizonin transportin dhe shitjen e saj, brenda dhe jashtë shtetit. Policia e Shkodrës vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon hetimi për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë të përfshirë në të, si dhe për të individualizuar rolin dhe përgjegjësinë e secilit. Të nderuar qytetarë, Ky megaoperacion, puna për kapjen e shtetasve në kërkim, goditjet e përditshme kundër kultivimit, prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, transportimit ilegal të emigrantëve dhe kundër çdo forme tjetër kriminalitet, dëshmojnë angazhimin e palëkundur të Policisë së Shkodrës, për të garantuar rend dhe siguri në të gjithë territorin e qarkut. Aleati kryesor i këtyre përpjekjeve është komuniteti i qarkut Shkodër, të cilin gjej rastin ta ftoj për bashkëpunim më të ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo indicie që kanë për paligjshmëri.