FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, Kurti: Po forcojmë kapacitetet mbrojtëse sipas standardeve të NATO-s
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar 12 kamionë të rinj ushtarakë të markës Mercedes Benz, të cilët i bashkohen flotës ushtarake.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar sot 12 kamionë të rinj ushtarakë “Unimog 5T” të markës Mercedes Benz, të cilët i bashkohen flotës së flotës ushtarake bashkë me 8 kamionët “Rheinmetall KX 8×8” të mbërritur ditë më parë. Përmes një njoftimi në rrjetin e tij social Facebook, Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se numri i kamionëve të këtyre dy kategorive ka arritur tashmë në 35 automjete, ndërsa dhjetëra të tjerë pritet të mbërrijnë gjatë vitit 2027. Kamionët Unimog 5T janë të projektuar për të ofruar lëvizshmëri në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, kurse kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 shtojnë kapacitetet transportuese të FSK-së dhe kontribuojnë në forcimin e mbështetjes logjistike. Një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit dhe pajisjeve luftarake, por edhe përmes kapaciteteve që i mundësojnë asaj të lëvizë, të furnizohet dhe të veprojë në mënyrë efikase. Këto investime janë pjesë e angazhimit tonë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë.