"Largoni Gardën!" / Demokratët nuk tërhiqen nga foltorja, Peleshi ndërpret sërish seancën
Kuvendi i Shqipërisë është ndërprerë për herë tjetër, pasi deputetët e opozitës nuk pranuan të lirojnë foltoren, duke penguar vijimin e punimeve.

Kuvendi i Shqipërisë është ndërprerë për herë tjetër, pasi deputetët e opozitës nuk pranuan të lirojnë foltoren, duke penguar vijimin e punimeve. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u kërkoi përsërisht përfaqësuesve të opozitës të ktheheshin në vende të tyre, por deputetët demokratë nuk iu përgjigjën dhe kërkuan largimin e punonjësve të Gardës së Republikës nga zona e foltores.
Tensionet kishin nisur më herët, gjatë fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili iu drejtua deputetëve socialistë me deklarata të ashpra. Berisha u shpreh se deputetët e majtë meritonin "thyerjen e kockave dhe çarjen e kafkës", dhe jo studentët që, sipas tij, ishin dhunuar nga policia.
Pas kësaj deklarate, Peleshi vendosi ndërprerjen e parë të seancës. Edhe pas rifillimit të punimeve, situata mbeti e pandryshuar. Për shkak të bllokimit të foltores, kryetari i Kuvendit njoftoi një tjetër ndërprerje, duke bërë të ditur se seanca nuk do të vijonte pa u liruar foltorja.