Gjoba deri në 500 mijë lekë për protestuesit, qeveria dërgon në Kuvend ndryshimet për tubimet
Qeveria ka dërguar në Kuvend ndryshimet për ligjin për tubimet, duke parashikuar gjoba deri në 500 mijë lekë për protestuesit që mosbinden urdhrat e policisë për largimin dhe shpërndarjen nga tubimet.

Mosbindja e urdhrave të policisë së shtetit për largimin dhe shpërndarjen nga tubimet do të sanksionohen si kundërvajtje administrative me masa që do të variojnë nga 10 mijë lekë deri në 500 mijë lekë. Këshilli i Ministrave ka dërguar për miratim Kuvendit të Shqipërisë aktin normativ me ndryshimet në ligjin për tubimet.
Një nga masat e parashikuara lidhet me pjesëmarrjen në tubime të ndaluara, për të cilën parashikohet gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Të njejtit masa financiare zbatohen edhe për mosbindjen ndaj urdhrave të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, në rastet e percaktuara nga ligji.
Gjobat rriten në rastet kur mosbindja ndaj urdhrave të policisë për shpërndarjen lidhet me rrethana të caktuara. Sipas relacionit të projektligjit për rastet e mosbindjes së urdhrave të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit masa administrative arrin deri në 200 mijë lekë.
Në rastin kur personi që nuk i bindet urdhrave të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit dhe ka fshehur identitetin, gjoba parashikohet nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit do të ndërmorë masat administrative me vlerë 5 mijë lekë.
Akti Normativ parashikon se gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin për kundërvajtjet administrative. Përveç masave ndëshkuese, akti normativ synon të krijojë mundësinë për vendosjen e kufizimeve të përkohshme dhe të arsyetuar pranë objekteve të caktuara, kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt.
Parashikohen gjithashtu përcaktimi i zonave të mbrojtura, dokumentimi audiovizual i paralajmërimeve dhe akteve të dhunës, si dhe masa për parandalimin e thirrjeve për dhunë të përhapura përmes rrjeteve sociale dhe formave të tjera të komunikimit.