"Rama, jep dorëheqjen!" - Demokratët këndojnë në kor në Kuvend, mazhoranca vijon votimin e ligjeve
Deputetët e opozitës kanë zgjedhur një formë proteste të re, duke kënduar në kor kundër kryeministrit Edi Rama gjatë seancës plenare në Kuvend.

Mes tensioneve që shoqëruan seancën plenare, deputetët e opozitës kanë zgjedhur një tjetër formë proteste, duke kënduar në kor kundër kryeministrit Edi Rama. Teksa mazhoranca po kalonte me ritëm të përshpejtuar në votimin e projektligjeve të rendit të ditës, demokratët kanë kënduar himnin e protestave qytetare, përmes të cilit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe largimin e klasës politike që ka drejtuar vendin gjatë 36 viteve të fundit. "Rama, jep dorëheqjen!", ishte thirrja që u dëgjua në sallën e Parlamentit, ndërsa deputetët e PD-së këndonin njëzëri. Pavarësisht protesteve të opozitës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vijoi leximin e dispozitave të projektligjeve, ndërsa deputetët socialistë vazhduan procesin e votimit. Situata u regjistrua gjatë një seance të shoqëruar me tensione dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, e cila kundërshtoi vijimin e votimeve pa diskutim.