Kandili i detit që sfidon plakjen: një mekanizëm që lejon të rinisë jetën
Shkencëtarët kanë zbuluar një mekanizëm që lejon një specie të detit të rikthehet në një fazë më të hershme të zhvillimit dhe të nisur sërish ciklin e jetës.
Një krijesë detare vetëm katër milimetra e gjatë po ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë një nga misteret më të mëdha të biologjisë: plakjen. Bëhet fjalë për Turritopsis dohrnii, i njohur si “kandili i pavdekshëm”, i cili zotëron një aftësi të jashtëzakonshme për të rikthyer në një fazë të hershme të zhvillimit dhe për të nisur sërish ciklin e jetës.
Ndryshe nga shumica e organizmave, që kalojnë në mënyrë të pakthyeshme nga pjekuria drejt plakjes, kjo specie mund të rikthehet nga faza e rritur në atë të polipit, një fazë e hershme e zhvillimit të saj. Ky transformim mund të ndodhë kur përballet me kushte të pafavorshme mjedisore, dëmtime fizike apo stres biologjik.
Në vend që të vazhdojë ciklin drejt vdekjes, kandili mund të ndryshojë gjendjen e qelizave të tij dhe të rifillojë zhvillimin. Kjo aftësi e ka kthyer atë në një subjekt me interes të veçantë për kërkimet mbi rigjenerimin qelizor dhe proceset biologjike që lidhen me plakjen.
Sekreti që fshihet në qelizat e tij
Një studim i shkencëtarëve të Universitetit të Oviedos në Spanjë, nën drejtimin e shkencëtarit Carlos López-Otín, ka ndihmuar në hedhjen dritë mbi mekanizmat gjenetikë që qëndrojnë pas kësaj aftësie. Ekipi analizoi gjenomin e Turritopsis dohrnii dhe e krahasoi atë me një specie të afërt, e cila nuk zotëron të njëjtin aftësi për të rikthyer në një fazë të mëparshme të jetës.
Rezultatet nxorën në pamë dallime në gjenet që lidhen me riparimin e ADN-së, mbrojtjen e qelizave dhe ruajtjen e stabilitetit gjenetik. Këta mekanizma mund të ndihmojnë organizmin të përballojë disa prej dëmtimeve që shoqërojnë zakonisht procesin e plakjes.
Një rol të rëndësishëm luan edhe transdiferencimi, procesi përmes të cilit qelizat e specializuara mund të ndryshojnë identitetin dhe funksionin e tyre. Kjo i mundëson kandilit të riorganizojë inde dhe të rikthehet në një fazë më të hershme të zhvillimit.
A mund ta ndihmojë ky zbulim njeriun të ngadalësojë plakjen?
Interesi i shkencëtarëve nuk lidhet vetëm me aftësinë e pazakontë të këtij organizmi për të rikthyer në një fazë të hershme të jetës. Studimi i mekanizmave të tij mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si qelizat riparojnë dëmtime, ruajnë funksionet e tyre dhe reagojnë ndaj ndryshimeve që sjell mosha.
Dëmtimi i ADN-së dhe dobësimi i aftësisë së rigjeneruese të qelizave janë ndër proceset që lidhen me plakjen dhe zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme. Për këto arsye, njohuritë e përfetuara nga studimi i kandilit mund të krijojnë mundësi të reja për kërkimet mbi trajtimet e sëmundjeve të lidhura me mosha.
Megjithatë, aftësia e tij për të rikthyer në një fazë të hershme të jetës nuk do të thotë se e njëjta gjë mund të arrinët te njerëzit. Organizmi njerëzor është shumë më i kompleks dhe mekanizmat biologjikë të kësaj specieje nuk mund të zbatohen drejtpërdrejt te njeriu. Deri më tani, nuk ka një trajtim i provuar për njerëzit që të mundësojë ngadalësimin e plakjes përmes këtij zbulimi.
Kështu, ky kandil i vogël mbetet një model i rëndësishëm për shkencën, duke ofruar të dhëna mbi rigjenerimin qelizor dhe mënyrat se si organizmat mund të përballojnë disa nga proceset që lidhen me plakjen.