Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të naftës dhe benzinës
Bordi i Transparencës ka vendosur kufijtë e rinj maksimalë të çmimeve të karburanteve në Shqipëri.

Bordi i Transparencës ka vendosur kufijtë e rinj maksimalë të çmimeve të karburanteve në Shqipëri. Sipas vendimit të ri, nafta do të tregtohet me një çmim maksimal prej 212 lekësh për litër në pakicë dhe 200 lekësh për litër në shumicë. Ndërsa për benzinën, çmimi nuk duhet të kalojë 181 lekë për litër në pakicë dhe 169 lekë për litër në shumicë. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 29 tetor, në orën 15:00, dhe do të zbatohen deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës. Bordi u ka bërë thirrje operatorëve të tregut të karburanteve që të respektojnë vendimin. Për subjektet që konstatohet se shkelin kufijtë e percaktuar, parashikohet pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë me dije se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së drejtë në tregun e hidrokarbureve.