Kryemadhi kritikon gjykatën: Avokati nuk vjen, nuk më lejojnë as të mbrohem vetë
Kryemadhi kritikon gjykatën dhe mungesën e avokatit në seancën e GJKKO, duke pretenduar se kjo pengon ushtrimin e të drejtave për të mbrojtur.

Monika Kryemadhi ka reaguar pas shtyrjes së seancës së gjyqit të saj dhe Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën si po zhvillohet procesi. Ajo kritikoi gjykatën dhe mungesën e avokatit në sallë, duke pretenduar se kjo situatë po i pengon ushtrimin e të drejtave për të mbrojtur.
Kryemadhi tha se kishte besuar se gjykatat i qëndonin vendimeve dhe deklarimeve të tyre, por sipas saj, një gjë e tillë nuk po ndodh. Ajo kujtoi se gjatë seancës së mëparshme u ishte komunikuar se mund të vijonin mbrojtjen edhe pa praninë e avokateve, ndërsa theksoi se ende nuk i ka përfunduar parashtrimet e saj.
"Mendoja që gjykatat e mbanin fjalën, por sot nuk e mban mend më fjalën njeri. Seancën e kaluar na u tha që mund të bënim mbrojtjen pa avokat. Jam në vijimin e parashtrimeve të mia. Megjithatë, edhe prezenca e avokateve që ishin në sallë, edhe pse pa pelerinën, tregon ngjyrën e sistemit", u shpreh Kryemadhi.
Ish-deputetja ngriti gjithashtu pretendime lidhur me një vendim të gjykatës, për të cilin tha se nuk u ishte komunikuar avokateve. Sipas saj, shqetësimi kryesor mbetet pamundësia për të vijuar mbrojtjen, pasi ligji parashikon përfaqësimin nga një avokat, ndërkohë që mungesa e tij në seancë, sipas Kryemadhit, po pengon vazhdimin e procesit.
"Gjykata pretendon se ka një vendim, por nuk i është bërë i njohur avokateve. Kjo nuk më intereson. Më intereson që i gjithë procesi më shpërdoron të drejtën e votës. Më ke vendosur me ligj të më mbrojë një avokat, i cili, ngaqë nuk i do qejfi, nuk vjen në sallë dhe nuk më lejon as të vijoj të mbrohem vetë", deklaroi ajo.
Kryemadhi u ndal edhe te pasiguria që, sipas saj, krijon kjo situatë, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë emocional. Ajo kritikoi gjithashtu funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke theksuar se reforma duhet të garantojë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
"Ne kemi një reformë në drejtësi që të mbrojë qytetarët, por kjo nuk ndodh. Sa qesharake, aq e dhimbshme është kjo gjë. E kam thënë që në fillim të procesit se kjo punë do durim strategjik", përfundoi Kryemadhi.