Kryeprokurori i Pejës dhe prokurorja e rastit të Arlinda Zekajt pezulluar nga detyra
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka konfirmuar se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është pezulluar nga detyra me rekomandim të tij. Prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi, e cila ishte prokurore e rastit të Zekajt dhe njëherësh koordinatore për raste të dhunës në familje, është pezulluar edhe ajo.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka pezulluar nga detyra kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi, e cila ishte prokurore e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor. Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka konfirmuar për Radiot e Lirë se Vuçetaj u pezullua nga KPK-ja, me rekomandim të tij. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së, të mbajtur më 29 tetor, u pezullua nga detyra edhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi, e cila ishte prokurore e rastit të Zekajt dhe njëherësh koordinatore për raste të dhunës në familje. KPK-ja tha më vonë në një njoftim për media se ka themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt, gruas e cila kishte kërkuar në vazhdimësi nga institucionet mbrojtje nga dhuna në familje para se të vritej. Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të inicohen procedura disiplinore dhe për këta u themelua panel hetimor, thuhet në njoftim.