Kuvendi i Shqipërisë miraton 11 projektligje në disa fusha
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancën plenare të radhës dhe miratoi 11 projektligje në disa fusha, duke përfshirë bankën, ratifikimin e marrëveshjes me Gjermaninë, këshillin fiskal, mbrojtjen e konsumatorit dhe ligjin për administrimin e objekteve konfiskuar.

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancën plenare të radhës, nën drejtimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi. Seanca e sotme plenare përfshinte një rend dite të ngarkuar dhe rezultoi me miratimin e disa projektligjeve në disa fusha.
Më konkretisht, këtë të enjte u miratua projektligji për Bankën e Shqipërisë me 84 vota pro, 2 kundër dhe 0 abstenim. Po ashtu, sot në Kuvend u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin "Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimit të eficiencës së energjisë V". Ky projektligj u miratua me 75 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.
Në vazhdim, u miratua projektligji për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë me 80 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. U miratua edhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 131/2015, për Qendrën Kombëtare të Biznesit, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
U miratua edhe projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, për regjistrimin e biznesit, me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
U miratua edhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare me 79 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim. Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara, u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
U miratua edhe projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 34/2019, për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64/2012, për peshkimin, u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.