Transferimi i Erion Veliajit në burgun e Fierit, një procedurë standarde dhe e drejtë
Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar se transferimi i Erion Veliajit në burgun e Fierit është një procedurë standarde dhe e drejtë, e kryer sipas ligjit dhe rregullores së Burgjeve.

Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bejmë një njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës. Transferimi i shtetasit E.V është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në vijim të transferimit të paraburgosurit E.V në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave.
Në zbatim të nenit 15, pika 4, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, me datë 28.10.2026, i paraburgosuri E.V u vendos në seksionin e pranimit (observimit) dhe u trajtua korrektësisht dhe në përputhje me kuadrin ligjor si për të gjitha rastet e tjera.
Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit, janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.
Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënja në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur.