Fluksi i virozave në Elbasan, mjekët: Janë rritur shtrimet nëpër spitale
Fluksi i virozave në Elbasan është në rritje, duke çuar në një numër të madh të shtrimeve në spitale.

Prej disa javësh, virozat vijojnë të prekin masivisht popullatën. Në Pediatrinë e Elbasanit paraqiten të paktën 100 fëmijë në 24 orë, ndërsa gjatë fundjavave fluksi është edhe më i lartë. Paralelisht, është rritur edhe numri i shtrimeve. Sipas mjekëve kjo është një periudhë e ngarkuar virale. Për të kufizuar përhapjen e virozave, veçanërisht te grupet e riskut, mjekja këshillon një ndërprerje të përkohshme të frekuentimit të institucioneve arsimore nga fëmijët e sëmurë. Kujdes i shtuar rekomandohet veçanërisht për të porsalindurit. Për të shmangur mbingarkesën e panevojshme të pavijonit, Palloshi këshillon prindërit që fillimisht t’u drejtohen mjekëve të familjes. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e kujdesit ndaj ushqyerjes dhe veshjes së përshtatshme të fëmijëve. Situata e ngarkuar paraqitet edhe në Urgjencën e të rriturve, ku më të prekurit nga virozat janë personat që bëjnë pjesë në grupet e riskut.