Aktualitet

GJKKO cakton avokatë kryesisht për Metën dhe Kryemadhinë, pas pezullimit të bojkotit të avokatëve

3 min leximPublikuar më

Burimi: Reporter.al ·

GJKKO vendosi të caktojë avokatë kryesisht për të pandehurit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, pas pezullimit të bojkotit të avokatëve. Avokatët e Metës dhe Kryemadhit nuk u paraqitën në seancën e të enjtes, duke sqaruar se kanë mësuar se Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të mblidhej të enjten për të vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajnë kundrejt vendimit të Apelit Administrativ.

Foto nga burimi: GJKKO cakton avokatë kryesisht për Metën e Kryemadhin, pas pezullimit të bojkotit të avokatëve

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, GJKKO vendosi të enjten më 29 tetor që të caktojë avokatë kryesisht për të pandehurit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, që po gjykohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Një javë më parë, GJKKO kishte vendosur që të vijonte procesin gjyqësor pa avokatë, me argumentin se dështuan të gjitha përpjekjet e gjykatës për t’u siguruar përfaqësues ligjorë të pandehurve, që mbetën pa mbrojtës si pasojë e bojkotit të seancave sipas dy vendimmarrjeve të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Në seancën e të enjtes, kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani konstatoi se Gjykata Administrative e Apelit kishte pranuar kërkesën e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare, për marrjen e sigurimit të padisë duke pezulluar zbatimin e vendimeve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotimin e seancave në GJKKO. Bani konstatoi se pas kësaj vendimmarrjeje të Apelit Administrativ, nuk ka më asnjë pengesë ligjore që avokatët të paraqiten në seanca dhe të përfaqësojnë të mbrojturit prej tyre. Megjithëse avokatët e Metës dhe Kryemadhit ishin në sallë, ata sqaruan se kanë mësuar se Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të mblidhej të enjten për të vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajnë kundrejt vendimit të Apelit Administrativ. për këtë arsye ata u shprehën se vijojnë t’i qëndrojnë bojkotit. Prokurori Arben Kraja kërkoi caktimin e avokatëve kryesisht dhe shtyrjen e seancës. Ndërsa të pandehurit Meta dhe Kryemadhi kërkuan që të vijohej gjykimi pa avokatë, ashtu si ishte vendosur në seancën paraardhëse. Trupi gjykues u tërhoq dhe vendosi të caktojë avokatë kryesisht për të pandehurit. Kryesuesi Bani vërejti se vendimi i Apelit administrativ për pezullimin e vendimeve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë është i zbatueshëm dhe se avokatët nuk kanë asnjë pengesë ligjore që të marrin pjesë. Sipas tij, kanë ndryshuar kushtet dhe për rrjedhojë u caktuan kryesisht dy mbrojtës për të pandehurit, avokati Arben Beci për përfaqësimin e Ilir Metës dhe avokati Artan Simoni për Kryemadhin. Po ashtu, gjykata vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për Metën. Seanca e radhës u shty më datë 5 nëntor, në orën 10:00. Konflikti mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi më 1 shtator, kur hyri në fuqi një rregullore e re për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e gjykatës, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit. Me dy vendime, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë vendosi bojkotimin e gjithë seancave në GJKKO. Prej afro dy muajsh, seancat dështuan të zhvillohen pasi edhe avokatët e listës kryesisht iu bashkuan bojkotin. Disa trupa gjykues të GJJKKO tentuan të vendosnin në lëvizje Zyrën e Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe avokatët që punojnë në këtë zyrë argumentuan se nuk mund të dilnin kundër vendimmarrjeve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe nuk u paraqitën në seanca. Ndërkohë që asnjë prej palëve nuk lëshonte pe, Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion vendosi në levizje Gjykatën Administrative të Apelit me një padi kundër bojkotit, që të mërkurën pezulloi vendimmarrjet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. SPAK e akuzon Metën për aferën CEZ-DIA dhe të dy të pandehurit për kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, ndikimet për llogari të biznesmenit Samir Mane e të Adrian Shatkut në këmbim të favoreve, pamundësinë financiare për blerjen e dy apartamenteve në ish-bllok e mosdeklarimin e shpenzimeve – akuza që janë kundërshtuar nga të pandehurit si të pabazuara e të inskenuara nga kundërshtarët politikë.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.