Zhvendosja e kryebashkiakut Veliaj në burgun e Fierit: Debat në Këshillin Bashkiak
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u zhvendos në burgun e Fierit, duke sjellë një debat në Këshillin Bashkiak. Ilda Zhulali dhe Dorian Teliti u shprehën ashpër për mënyrën se si u dërgua atje, duke deklaruar se pa asnjë dokument zyrtar e kanë dërguar në izolim.

Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar listën e aplikuesve prej 1500 personash, të shpallur fitues për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, të cilëve do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.
Ilda Zhulali, teksa u ndal në postimin në Facebook të Veliajt, deklaroi se pa asnjë dokument zyrtar e kanë dërguar në izolim. “Sot keni sjellë për të votuar 1500 kredi të buta, do t’i marrin ata njerëz, po nuk do të marrin dot një çelës shtëpie. Këtë e ka kuptuar edhe kryetari i burgosur i bashkisë, Erion Veliaj. Uroi studentët serbë që mundën Vuçiçin, mikun e Ramës, ky shkroi se protestat studentore janë fundi i një bote. Për këtë, Toni Gogu, pastori që e martoi, e transferoi në Fier. Me sa kemi dëgjuar, pa asnjë dokument zyrtar edhe e ka çuar në izolim. Pra, për një status në FB, kumbari i dasmës e dorëzoi Biblën dhe ngriti lart urdhrin e diktatorit.
Dorian Teliti u shpreh se nuk i intereson fati i kryebashkiakut Erion Veliaj, por mënyra se si u bë zhvendosja e tij drejt burgut të Fierit. “Këtë fjalë do ta mbaj në emër të grupit këshilltar të Partisë Demokratike. Ajo që dua të diskutoj, nuk është thjesht rendi që keni propozuar, si gjithmonë në mënyrë të njëanshme, dua të ndalem te problemet dhe fati i kësaj bashkie. Halit Valteri tha: ‘U rrëmbye kryetari i Bashkisë së Tiranës’. Po, e vërtetë. S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet. Dua të di se kush rrëmbehet dhe kush janë ata që japin urdhra dhe e konsiderojnë Bashkinë e Tiranës aq zhele, sa marrin atë që duhet ta kishin larguar siç duhet, dhe pse ai u kthye nga Kushtetuesja në krye të bashkisë.
Halit Valteri u ndal te dërgimi i kryebashkiakut Veliaj në qelitë e Fierit, duke shprehur shqetësimin për transferimin e papritur dhe kushtet që ai po mbahet në burg. “Transferimi dhe kushtet e mbajtjes së Veliajt, kërkoj mirëkuptim, ta shtrojmë këtë diskutim në Këshillin Bashkiak. Shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet në Fier. Shqetësimi edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim e ndërhyrje. Veliaj është i paraburgosur, gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, të drejtat e njeriut. Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor. Të kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet arsyet e këtij transferimi, vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore të zotit Veliaj. Mesa di, ka edhe këmbën në allçi” .