Vdekja e akademikut Luan Omari, një humbje e rëndë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Akademiku Luan Omari, një nga themeluesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka vdekur në moshën 101-vjeçare. Ai ishte një figurë e shquar e mendimit juridik, shkencor dhe akademik shqiptar, që ka kontribuar në përgatitjen e brezave të tërë juristësh dhe akademikësh në Shqipëri.

Akademiku Luan Omari ka lindur më 10 qershor 1925 në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Ai ka arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i nisi në Beograd dhe i vijoi në Sofje, ku mori diplomën në Shkencat Juridike.
Karriera e tij akademike nisi në Institutin e Lartë Juridik të Tiranës, ku shërbeu si docent i së Drejtës Publike gjatë viteve 1954-1957. Më pas, nga viti 1957 deri në vitin 1974, mbajti postin e dekanit të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Tiranës, duke drejtuar për 17 vjet një nga institucionet kryesore të formimit të juristëve shqiptarë.
Gjatë veprimtarisë së tij universitare, Omari ishte gjithashtu profesor i së Drejtës Kushtetuese, Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës, si dhe i së Drejtës Publike. Përmes mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, ai kontribuoi në përgatitjen e brezave të tërë juristësh dhe akademikësh, shumë prej të cilëve kanë mbajtur përgjegjësi të rëndësishme në institucionet juridike, shtetërore dhe universitare të vendit.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me Akademinën e Shkencave të Shqipërisë, ku ishte anëtar që prej themelimit të saj në vitin 1972. Gjatë periudhës 1975-1993, ai ushtroi funksionin e sekretarit shkencor të Akademisë, ndërsa nga viti 1997 mbajti postin e zëvendëskryetarit, duke kontribuar në organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë shkencore të institucionit.
Kontributi i tij u shtri edhe në arenën ndërkombëtare. Që prej vitit 1992, Luan Omari ishte anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve. Në këtë institucion të rëndësishëm këshillimor evropian, Omari mbajti edhe postin e zëvendëskryetarit gjatë viteve 2003-2005, duke përfaqësuar Shqipërinë në diskutimet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës, zhvillimet kushtetuese dhe standardet juridike evropiane.
Në fushën e kërkimit shkencor, akademiku Omari ishte autor i një sërë librash, monografish, botimesh dhe artikujsh shkencorë mbi të drejtën kushtetuese, historinë e së drejtës, sistemin juridik shqiptar dhe zhvillimin e institucioneve shtetërore. Ai mori pjesë gjithashtu në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë kontribut në debatet shkencore dhe juridike brenda dhe jashtë vendit.
Pas ndryshimeve politike të viteve '90, Omari u përfshi në proceset dhe debatet për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të legjislacionit kushtetues, duke kontribuar në ndërtimin e kuadrit juridik të shtetit demokratik dhe zhvillimin e mendimit kushtetues shqiptar.
Për kontributin e tij shumëvjeçar në shkencë, drejtësi dhe arsimin e lartë, Luan Omari u vlerësua me disa nderime të rëndësishme. Në vitin 2016, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike, ndërsa në vitin 2020, Presidenti i Republikës e dekoroi me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe rolin në themelimin dhe zhvillimin e institucioneve të dijes në Shqipëri.
Me ndarjen nga jeta të Luan Omari mbyllet edhe një kapitull i rëndësishëm i historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.