Vdekja e anëtarit themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Luan Omari
Anëtari themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Luan Omari, është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare. Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për humbjen e akademikut dhe ka vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në shkencën dhe kulturën shqiptare.

Anëtari themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Luan Omari, është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare. Luan Omari ka qenë ish-sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Për disa dekada, ai ka kushtuar jetën e tij kërkimit shkencor dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.
Omari ka lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa maturën e përfundoi në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i ndoqi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.
Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë docent i së drejtës publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, si dhe profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës dhe i së drejtës publike në këto universitet.
Luan Omari ka përfaqësuar Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës. Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike dhe kushtetuese, si dhe sistemin juridik shqiptar. Gjithashtu, ka marë pjesë në proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve '90.
Për kontributin e tij, në vitin 2020, Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa në vitin 2016, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike.
Akademia e Shkencave ka njoftuar se homazhet dhe nderimet për akademik Luan Omari do të zhvillohen më 30 tetor 2026, në ambientet e saj. Në orën 10:00 do të mbahet Akademia Solemne në sallën “Aleks Buda”, ndërsa homazhet do të zhvillohen nga ora 11:00 deri në orën 13:00. Në orën 13:00, kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, do të mbajë fjalën e lamtumirisë.