Hakmarrja e Ramës ndaj Veliajt: PS, Xhafaj dhe Çuçi i kërkojnë Gogut dosjen e transferimit
Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi kanë kërkuar zyrtarisht informacion mbi mënyrën se si është kryer transferimi i Erion Veliajt nga Durrësi në Fier, ndërsa Çuçi është përpjekur të i kërkojë dorëheqjen ministrit Toni Gogu.

Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka trazuar radhët e Partisë Socialiste. Dy drejtues të komisioneve parlamentare, Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi, kanë kërkuar zyrtarisht informacion mbi mënyrën se si është kryer transferimi i kryebashkiakut. Burime nga grupi parlamentar socialist bëjnë të ditur se kërkesa e tyre është depozituar para ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë drejtuar nga Toni Gogu. Dy ligjvënësit kërkojnë të mësonin nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vënë në dijeni Ministrin e Drejtësisë për urdhrin e transferimit të Veliajt nga Durrësi në Fier. Gjithashtu, Xhafaj dhe Çuçi kanë kërkuar t'u vihet në dispozicion praktika dokumentare e ndjekur gjatë këtij procesi, përfshirë urdhrin që institucioni i burgjeve e ka klasifikuar si sekret shtetëror. Kërkesa e tyre vjen pas një debati të fortë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku Bledi Çuçi i ka kërkuar shpjegime ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. “Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!” mësohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë mbledhjes. Gogu është përgjigjur se ishte në pritje të informacionit përkatës, por kjo përgjigje ka sjellë një tjetër reagim të Çuçit. “Nëse nuk ke ti informacion, që je ministër Drejtësisë, jep dorëheqjen!” mësohet t’i ketë thënë deputeti socialist. Ndërkohë, reagime mbi transferimin e Veliajit ka pasur edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Këshilltarët bashkiakë të PS kanë kërkuar sqarime për lëvizjen e kryebashkiakut nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt atij në Fier. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga ana tjetër, ka deklaruar se procedura është kryer në përputhje me ligjin. Por sipas saj, urdhrin i transferimit është klasifikuar si informacion sekret shtetëror, ndaj përmblidhja e tij nuk është bërë publike. Reagimi i saj ka shtuar misterin, teksa Veliaj ka denoncuar përmes një letre nga paraburgimi izolimin, mungesën e kujdesit shëndetësor dhe kufizimet në komunikimin me familjarët dhe mbrojtësit e tij ligjorë.