11 policë të pezulluar, 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë në Kosovë
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë në Pejë janë pezulluar nga detyra për shkak të dështimeve në trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë në Pejë janë pezulluar nga detyra lidhur me në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Sipas tij, në 72 orë kanë konfirmuar dhe qartësuar dështimet në trajtimin e rastit.
Ai bëri të ditur se raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor ia ka dorëzuar kryeministrit, Albin Kurti.
Sveçla theksoi se asnjë pozitë apo gradë nuk mund të shërbejë si mburojë për t’iu shmangur përgjegjësisë. Ndër të tjera, ai bëri të ditur se janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar lidhur me veprimet e ndërmarra.
“Arlinda kërkoi mbrojtje. Sot përgjegjësia jonë është që të sigurohet që çdo veprim apo mosveprim të hetohet. Përtej verimeve, përgjegjësia jonë është që të gjitha rastet e tjera të identifikuara të trajtohen me seriozitetin dhe vëmendjen e duhur institucionale. Me kërkesë të Kurtit, është përpiluar një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë. Sipas këtij raporti, janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë,” tha ai.
Ministri tha se të gjitha rastet e tjera të identifikuara do të trajtohen me seriozitetin më të madh.