Këshilli i Përgjithshëm i Avokatisë mblidhet sot për të vendosur lidhur me vijimin e bojkotit
Këshilli i Përgjithshëm i Avokatisë mblidhet sot për të vendosur lidhur me vijimin e bojkotit të avokatëve, pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila pezulloi vendimin për bojkotin e avokatëve.

Këshilli i Përgjithshëm i Avokatisë mblidhet sot për të vendosur lidhur me vijimin ose ndërprerjen e bojkotit të avokatëve. Mbledhja vjen pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila pezulloi vendimin për bojkotin e avokatëve, bazuar në kërkesën e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion.
Një ditë më parë, Komiteti Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë zhvilloi një mbledhje urgjente për të shqyrtuar situatën e krijuar pas vendimit të Apelit dhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, i tha gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, se po shqyrtohen hapat e mëtejshëm ligjorë.
Sipas Haxhisë, një nga mundësitë që po shqyrtohet është që Dhoma t’i drejtohet Gjykatës së Apelit me një padi, përmes së cilës do të kërkohet shfuqizimi dhe pezullimi i rregullores së GJKKO-së, të datës 1 shtator 2026, e cila, sipas tij, cenon profesionin e avokatëve dhe të medias.
“Po shqyrtojmë çdo mundësi ligjore. Dhoma është një institucion që funksionon me struktura. Nuk jemi njoftuar ende për vendimin e zbardhur të gjykatës. Komiteti do të shqyrtojë situatën sot dhe do të dalë me sugjerime. Ndërsa nesër në orën 14:00 do të ketë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm”, deklaroi Haxhia një ditë më parë.