Takimi i 16-të i Rrjetit të OECD-së kundër korrupsionit në Tiranë
70 hetues dhe prokurorë nga 28 juridiksione morën pjesë në takimin e 16-të të Rrjetit të Organeve Ligjzbatuese në Tiranë.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka organizuar në Tiranë, nga 27 deri më 29 tetor, takimin e 16-të të Rrjetit të Organeve Ligjzbatuese (LEN), pjesë e Rrjetit Kundër Korrupsionit të OECD-së për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore (ACN). Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, SPAK bën me dije se në aktivitet morën pjesë 70 hetues dhe prokurorë nga 28 juridiksione, si dhe përfaqësues të tre organizatave ndërkombëtare. Gjatë takimit u diskutuan praktikat dhe sfidat që lidhen me hetimet kundër korrupsionit, duke u përqendruar te përdorimi i ligjshëm i informacionit fillestar, ruajtja e provave elektronike dhe vërtetimi i origjinës së paligjshme të pasurive. Një tjetër çështje e trajtuar ishte shkëmbimi i teknikave dhe zgjidhjeve praktike mes autoriteteve ligjzbatuese, veçanërisht në hetimet ku informacioni, personat dhe pasuritë shtrihen në disa shtete. SPAK thekson se në raste të tilla, krijimi i një zinxhiri të qëndrueshëm provash kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar. Në përfundim të njoftimit, SPAK ka falënderuar OECD-në dhe Rrjetin e saj Kundër Korrupsionit për bashkorganizimin e aktivitetit, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.