Tabaku: Protestat i grisën fasadën Ramës, Parlamenti s'mund të bëjë sikur nuk sheh realitetin
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se protestat studentore dhe pakënaqësia qytetare kanë ekspozuar atë që ajo e konsideron si fasadën e qeverisjes së Edi Rame, duke e vendosur kryeministrin përballë një realiteti që, sipas saj, nuk mund të fshihet më.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se protestat studentore dhe pakënaqësia qytetare kanë ekspozuar atë që ajo e konsideron si fasadën e qeverisjes së Edi Rame, duke e vendosur kryeministrin përballë një realiteti që, sipas saj, nuk mund të fshihet më.
Sipas deputetes demokrate, është e papranueshme që Kuvendi të vijojë punën sikur në vend nuk po ndodhin protesta, arrestime dhe përplasje, ndërkohë që qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe llogaridhëniet. Ajo theksoi se opozita ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend, në mënyrë që të diskutohet për protestat dhe të thirret ministri i Brendshëm për të dhënë shpjegime mbi dhunën ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
“Kjo është javë e dyta që kërkojmë ndryshimin e rendit të ditës. Javës tjetër nis edhe buxheti. E kemi kërkuar dhe në komisionet parlamentare, që ministri i Brendshëm të flasë, ka folur e gjithë bota e jo me parlamenti”, deklaroi deputetja e PD-së.
Tabaku u shpreh se situata politike ka ndryshuar dhe se protestat kanë krijuar një realitet të ri, të cilit institucionet nuk mund t’i shmangen. Sipas saj, qytetarët presin që opozita të përfaqësojë edhe brenda Parlamentit shqetësimet dhe kërkesat që ngrihen në rrugë.
“Sot ka një realitet tjetër që na e imponon protesta dhe rruga. Ka qytetarë që presin që ne të flasim atje, dje kaluan ligje të rendësishme. E kam parë veten në një hapësirë të ngushtuar parlamentare. Sot se krijojmë dot një komision hetimor apo një debat apo interpelancë sot është akoma më e vështirë”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate u ndal edhe te diskutimet për mundësinë e dorëzimit të mandateve parlamentare, duke e cilësuar këto si një lëvizje të rrezikshme. Sipas saj, opozita duhet të shfrytëzojë të gjitha hapësirat institucionale dhe njëkohësisht të mbështetë protestat qytetare.
“Ne duhet të përdorim të dyja, dhe pastaj futemi te lënia e mandateve, një lëvizje e rrezikshme. Sot me rendësi që kauzat e opozitës ndër vite janë kauzat e qytetarëve. Sot beteja është qeverisja, korrupsioni e krimi i organizuar është në të gjithë botën, e ekspozoi qeverisjen e Ramës, e grisi fasadën kjo protestë 4 mujore. Parlamenti s’mund të jetë jashtë realitetit”, përfundoi Jorida Tabaku.