"Korça Open Air" Feston në Qiellin e Korçës
Edicioni i 15-të i "Korça Open Air" është në zhvillim në Korçë, ku pilotët ndërkombëtarë janë mbledhur për të garuar në një prej aktivitetëve që fiton rëndësi në kalendarin ndërkombëtar të paraglidingut.

Korça është kthyer në kryeqendër e sporteve ajrore, me nisjen e edicionit të 15-të të "Korça Open Air". Pilotë nga vende të ndryshme të botës janë mbledhur në aerodromin e qytetit juglindor për të garuar në një prej aktivitetëve që fiton rëndësi në kalendarin ndërkombëtar të paraglidingut. Ky edicion jubilar sjell emra të njohur të këtij sporti, mes tyre kampionë dhe pilotë me renditje të lartë në arenën europiane dhe botërore.
Gara pritet të jetë mjaft konkurruese, pasi pikët e fituara në këtë aktivitet janë të renditshme për klasifikimin ndërkombëtar të pjesëmarrësve. Përtej konkurrimit sportiv, "Korça Open Air" ofron edhe një program të larmishëm për publikun. Spektakli i paramotorëve, fluturimet dhe aktivitetet e aeromodelingut janë pjesë e këtij edicioni, duke e kthyer aerodromin në një hapësirë ku sporti, argëtimi dhe promovimi i aeronautikës ndërthuren së bashku. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përfshirjes së fëmijëve përmes aeromodelingut, me synimin për të afruar brezin e ri me botën e fluturimit.
Ky event është një mundësi e rëndësishme për promovimin e Korçës, jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si një qendër e zhvillimit të sporteve ajrore. Infrastruktura e aerodromit dhe kushtet që ofron zona krijojnë mundësi për organizimin e aktivitetëve të tjera ndërkombëtare në të ardhmen, ndërsa një prej synimeve është edhe zhvillimi i Ballkanadës së sporteve ajrore në Korçë.
Por këtë vit, spektakli nuk mbetet vetëm në aerodrom. CNA do të jetë pranë çdo zhvillimi, me një transmetim të drejtpërdrejtë dhe ekskluziv nga Korçë. Përmes një formati dinamik, me komentim në këmbë dhe pranë pistës së fluturimit, teleshikuesit do të kenë mundësinë të përjetojnë nga afër emocionet e garës dhe të ndjekin performancat e pilotëve.