Ministria e Mjedisit propozon heqjen e 59 monumenteve të natyrës nga lista e mbrojtjes
Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për rishikimin e listës së monumenteve të natyrës në Shqipëri, duke propozuar heqjen e 59 objekteve nga lista e mbrojtjes dhe përfshirjen e 26 të tjerave.

Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për rishikimin e listës së monumenteve të natyrës në Shqipëri, duke propozuar heqjen e 59 objekteve nga lista e mbrojtjes dhe përfshirjen e 26 të tjerave. Projektvendimi është hedhur për konsultim publik dhe mund të ndryshohet në bazë të komenteve dhe propozimeve të publikut.
Arsyet e propozimit për heqjen e monumenteve lidhen me dëmtimin e rëndë ose zhdukjen fizike të objekteve natyrore, prerjen, tharjen apo djegjen e pemëve monumentale, si dhe humbjen e karakteristikave që justifikonin statusin e tyre të mbrojtur. Mes faktorëve të evidentuar janë erozioni, rrëshqitjet e tokës dhe kushtet ekstreme të motit, por edhe ndërhyrjet njerëzore, si ndërtimet, nxjerrja e inerteve, ndotja dhe shfrytëzimi i paautorizuar i burimeve natyrore.
Pesë monumente të qarkut të Shkodrës, të përfshira fillimisht në propozimin për heqje, janë rikonfirmuar pas verifikimeve të mëtejshme në terren. Një nga rastet e evidentuara në relacion është Shpella e Gurit të Kuq, në fshatin Muhurr të Dibrës, e cila është bllokuar nga depozitimet e inerteve, të lidhura me aktivitetin e nxjerrjes së gurit.
Përtej arsyetimit teknik të rivlerësimit, një nga çështjet që mbetet e paqartë është e ardhmja e territoreve që do të humbasin statusin e monumentit të natyrës. Projektvendimi parashikon miratimin e një liste të re, me koordinata të përditësuara dhe dokumentacion të digjitalizuar për secilin monument, por nuk përcakton ndonjë plan për rehabilitimin e objekteve të dëmtuara dhe as jepet një analizë mbi përdorimin e ardhshëm të territoreve që nuk do të jenë më pjesë e kësaj kategorie mbrojtjeje.
Pyetja merr rëndësi të veçantë në një kontekst ku ndryshimet e mëparshme në legjislacionin për zonat e mbrojtura janë shoqëruar me debate mbi hapjen e territoreve ndaj investimeve ekonomike dhe turistike. Ministria e Mjedisit dhe institucionet përgjegjëse duhet të sqarojnë jo vetëm arsyet e humbjes së statusit të mbrojtjes, por edhe nëse këto territore do të vazhdojnë të gëzojnë forma të tjera mbrojtjeje dhe çfarë garancish do të ketë për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të tyre.