Shqipëria ka nevojë për intelektualin që nuk dëshiron të bëhet politikan!
Shqipëria ka nevojë urgjente për intelektualë të mirë dhe të ndershëm që të bëhen politikanë, por edhe për intelektualë që të mos bëhen të tillë. Intelektualët mund të ndihmojnë në ndërtimin e një qeverisjeje më të mirë dhe të ndershme.

Shqipëria sot ka nevojë urgjente për intelektualë të mirë dhe të ndershëm që të bëhen politikanë, por edhe për intelektualë që të mos bëhen të tillë. Të parët mund të ndihmojnë në ndërtimin e një qeverisjeje më të mirë dhe të ndershme, ndërsa të dytët mund të ndihmojnë që institucionet të mos mbeten pa kritikë, shoqëria të mos humbasë aftësinë për të gjykuar dhe pushteti të mos e paraqesë interesin e vet si interes të përgjithshëm.
Ndërsa korrupsioni ka gërërë besimin te politika, e cila duket qartazi e pushtuar nga "idiotët funksionalë", është e kuptueshme edhe e justifikuar kërkesa që në politike të përfshihen njerëz të ndershëm, me integritet dhe aftësi drejtuese. Nevoja për ta është reale.
Por, në entuziazmin për t'i gjetur politikanë një elitë të re, ekziston rreziku të bimë në një keqkuptim të madh, ku çdo intelektual me integritet të shihet si një politikan potencial, duke rrezikuar kështu të bejmë një gabim tjetër, ta masim vlerën e tij me gatishmërinë për të marrë pushtetin.
George Orwell-i, në esenë e tij "Përse Shkruaj", shpjegon se shkrimi në fund të fundit ka një qëllim politik, pasi ai tërheq vëmendjen mbi faktet e fshehura; ndikon mënyrën se si njerëzit e kuptojnë shoqërinë, ndërkohën t'i jep mundësinë që përmes fjalës dhe mendimit të mund të luftosh për çështje që shqetësojnë shoqërinë, pa ushtruar pushtet politik.
Edhe kjo është jo pak e domosdoshme për shoqërinë, sepse një shoqëri nuk ndryshon vetëm kur ndryshojnë politikanët. Ajo ndryshon edhe kur qytetarët mësojnë të dallojnë propagandën nga argumenti, interesin publik nga interes privat dhe përgjegjësinë nga demagogjia. Intelektuali mund ta bëjë këtë pa ambicien për poste publike, pa ëndrrën për të kandiduar për kryetar bashkie apo deputet.
Shoqërisë i duhet edhe njerëzit që nuk janë pjesë e garës për pushtet. I duhet njerëz që të mund të kritikojnë publikisht një qeveri pa pasur nevojë të justifikojnë opozitën; të kritikojnë politikanët pa u detyruar të mbrojë një grup tjetër politik; apo të mbështesin një politikë të drejtë pa u bërë servilë të atyre që po e propozojnë.
Ky është avantazhi i pavarësisë, e cila nuk është një titull që ia jepim vetes, por një standard që duhet të provohet vazhdimisht nëpërmjet gjykimit të çështjeve sipas meritës së tyre, edhe jo sipas përkatesisë politike të atyre që i ngrenë, apo sipas pagesës në bordero. Një elitë e shëndetshme politike nuk krijohet duke i tërhequr të gjithë intelektualët drejt politikës, por duke krijuar kushtet që njerëzit e aftë të mund të hyjnë në politikë pa u detyruar të komprometojnë integritetin e tyre, dhe, paralelisht, duke mbrojtur hapësirën ku ata që nuk hyjnë në politikë mund të vazhdojnë të flasin lirshmërisht.
Shqipëria sot ka nevojë urgjente për intelektualë të mirë dhe të ndershëm që të bëhen politikanë, por edhe për intelektualë që të mos bëhen të tillë. Të parët mund të ndihmojnë në ndërtimin e një qeverisjeje më të mirë dhe të ndershme, ndërsa të dytët mund të ndihmojnë që institucionet të mos mbeten pa kritikë, shoqëria të mos humbasë aftësinë për të gjykuar dhe pushteti të mos e paraqesë interesin e vet si interes të përgjithshëm.