Lamtumirë akademikut Luan Omari
Akademia e Shkencave nderoi kontributin e Profesor Luan Omari, një nga themeluesit e saj, i cili ndau me jeta në moshën 101-vjeçare.

Akademia e Shkencave mbajti sot një homazh për një nga themeluesit e saj, Profesor Luan Omari, i cili u nda nga jeta në moshën 101-vjeçare. Familja e tij e kujton butësinë e tij, sidomos në kohët e fundit kur kishte një kujtesë të dobësuar.
Profesor Luan Omari ka jetuar një jetë të shkëlqyer, duke u dedikuar kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Karriera e tij është lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet, duke formuar breza të tërë juristësh e akademikësh.
Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese. Ai është autor i dhjetra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90.