347 persona janë lënduar gjatë protestave, deklaroi ministri Demo
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se në total 347 persona janë lënduar gjatë protestave, mes tyre punonjës të Policisë shtetërore, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se në total 347 persona janë lënduar gjatë protestave, mes tyre punonjës të Policisë shtetërore, protestues, kalimtarë dhe gazetarë. Sipas ministrit, 200 prej të lënduarve janë punonjës të Policisë shtetërore, disa prej të cilëve kanë marrë dëmtime të rënda, ndërsa 107 janë protestues. Gjatë protestave ka pasur gjithashtu kalimtarë të lënduar, mes tyre edhe gazetarë që janë dëmtuar gjatë raportimit.
Demo deklaroi se ky numër tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë dhe e cilësoi këto shifra si një “këmbanë alarmi”. Ai theksoi se qëndrimi i Ministrisë së Brendshëm dhe Policisë shtetërore është garantimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar paqësisht dhe reagimi proporcional në rastet kur konstatohet dhunë.
Ministri foli edhe për rastet kur punonjës të policisë dyshohet se kanë tejkaluar masën gjatë protestave. Sipas tij, 7 efektivë janë pezulluar dhe ndodhen nën hetim për veprimet e tyre. Ai shtoi se AMP po punon edhe për dhjetëra raste të referuara nga qytetarët dhe po bashkëpunon me Prokurorinë e Tiranës për hetimin e këtyre ngjarjeve.
Sipas ministrit, gjatë protestave është konstatuar dhunë jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj subjekteve private, institucioneve të pavarura dhe individëve që kanë qenë të pranishëm në protesta. Demo foli gjithashtu për presionin ndaj punonjësve të Policisë shtetërore në media dhe rrjetet sociale. Ai tha se janë konstatuar kërcënime nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanale për identifikimin e punonjësve të policisë, si dhe thirrje për sulme ndaj tyre.
Ministri Ervin Demo ka deklaruar se 269 të mitur janë shoqëruar nga policia gjatë protestës, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tyre në tubime të tilla si një fenomen shqetësues që kërkon ndërhyrje për parandalimin e rasteve të ngjashme. Ai tha se të miturit janë vendosur në vijën e parë të dhunës, ndërsa personat që qëndronin pas tyre kanë qëndruar në prapavijë. Demo tha se ka miratuar aktin e ri normativ për sa i përket menaxhimit të tubimeve të paligjshme.