Nevil Dede, trajneri më i mirë i muajit tetor: "Krenar për djemtë e Egnatias"
Nevil Dede, trajneri i Egnatias, është shpallur "Trajneri më i mirë" i muajit tetor në kampionatin "Abissnet Superiore". Ai ka arritur një muaj pozitiv me skuadrën e tij, duke fituar tri ndeshje dhe grumbulluar 9 pikë.

Nevil Dede është shpallur "Trajneri më i mirë" i muajit tetor në kampionatin "Abissnet Superiore", në vlerësimin e bërë nga Drejtoria Teknike e FSHF-së. Trajneri i Egnatias regjistroi një muaj pozitiv në drejtimin e skuadrës së tij, duke arritur tri fitore ndaj Laçit, Vllaznisë dhe Teutës. Këto rezultate i mundësuan Egnatias të grumbullojë 9 pikë dhe të ngjitet në vendin e parë të renditjes së kampionatit, me 21 pikë pas nëntë javëve të para.
Trofeun e "Trajnerit më i mirë" të muajit tetor, Nevil Dedes ia dorëzoi trajneri i përfaqësueses U-19, Fatjon Tafaj. Pas marrjes së çmimit, në një prononcim për fshf.org, trajneri i Egnatias u shpreh mirënjohës për vlerësimin, duke ia dedikuar arritjen futbollistëve dhe klubit për mbështetjen e bashkëpunimit.
Duke folur për ecurinë e kampionatit, trajneri theksoi konkurrencën dhe nivelin e këtij edicioni, ndërsa u shpreh se pret një garë të luftuar deri në fund. Dede foli edhe për aventurën evropiane të skuadrës në UEFA Conference League, duke vlerësuar paraqitjet e futbollistëve dhe mënyrën se si Egnatia po përballë me kundërshtarët në arenën ndërkombëtare.
Më poshtë, prononcimi i plotë i trajnerit Nevil Dede:
"Mbyllet faza e pare e kampionatit, si ishin këto 9 javë për Egnatian? – Kampionati është shumë i luftuar dhe shumë i fortë sivjet. Me shumë vështirësi arritëm të kthehemi aty ku ne pretendojmë që na takon. Mos të harrojmë që kemi edhe kundërshtarë të fortë, si Teuta, Dinamo, por edhe të tjerë që nuk janë “ndezur” akoma. Besoj që “Abissnet Superiore” do të jetë një kampionat i luftuar dhe tifozët sivjet do të shijojnë një futboll të bukur dhe të kënaqshëm për nivelin tonë.
Çmimi si trajneri më i mirë i muajit tetor? – Është një nder dhe jam shumë mirënjohës për vlerësimin që marr si trajneri i muajit. Mirënjohje për futbollistët tanë, për përkushtimin dhe punën e palodhur çdo ditë, si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje, që bënë të mundur që ne të jemi këtu ku po shkojmë dhe po ecim. Merita është vetëm e atyre. Gjithashtu, vlerësim maksimal për klubin Egnatia, për mbështetjen që japin dhe për bashkëpunimin e frytshëm që po bëjmë. Shpresojmë që të jemi në këtë ritëm dhe pozitivitet, jo vetëm rezultatësh, por sidomos të lojës dhe të mundohemi të mos na ndodhin dëmtime si ai i Sotës dje, për të cilin me keqardhje uroj shpëtim sa më shpejtë.
Aventura evropiane në Conference League? – Të jem i sinqertë, bashkë me djemtë po e shijojmë këto momente. Besoj që edhe shqiptarët, kush e do futbollin, po e shijojnë. Në momentin e parë arritëm atë objektiv që kishim, pra grupet e Conference League. Tani po marrim pikë, por për pikët, ajo që mua më kënaq është që ne luajmë futboll përballe çdo kundërshtari, në çdo stadium të Evropës ku ne shkojmë. Unë jam shumë krenar për djemtë dhe për futbollin që ata po mundohen të bëjnë bashkë me mua. Shpresojmë që të vazhdojmë të përmirësohemi çdo ditë. Motoja jonë është: versioni ynë më i mirë, çdo ditë dhe çdo ndeshje."