Gjykata federale bllokon rihapjen e Lotarisë Amerikane 2027
Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar përkohësisht zbatimin e vendimit të një gjykate të ulët, që kishte urdhëruar administratën amerikane të hapte regjistrimet për programin e vizave të diversitetit.

Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar përkohësisht zbatimin e vendimit të një gjykate të ulët, që kishte urdhëruar administratën amerikane të hapte regjistrimet për programin e vizave të diversitetit. Vendimi i gjykatës, i marë më 29 tetor, jep mundësi administratës Trump të vijojë pezullimin e programit, ndërkohë që shqyrtohet ankimi i paraqitur ndaj vendimit të mëparshëm.
Megjithatë, gjykata e Apelit nuk ka dhënë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e programit dhe as nuk ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos hapur regjistrimet. Në arsyetimin e saj, gjykata vlerëson se paditësia, studioja ligjore e imigracionit Red Eagle Law, nuk kishte një bazë të mjaftueshme ligjore për të kundërshtuar vendimin e autoriteteve amerikane.
Çështja nisi pas padisë së ngritur nga Red Eagle Law, e cila kërkonte ndërhyrjen e gjykatës për të detyruar Departamentin e Shtetit të hapte aplikimet për DV-2027. Më 14 tetor, gjyqtarja federale Jinsook Ohta kishte vendosur në favor të studios ligjore, duke urdhëruar autoritetet që të shpallnin periudhën e regjistrimit deri më 29 tetor dhe ta hapnin procesin më 1 nëntor.
Programi Diversity Visa, i njohur gjerësisht si Lotaria Amerikane, parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave të imigracionit çdo vit për shtetasit e vendeve me nivele historikisht të ulëta emigrimi drejt SHBA-së. Për momentin, regjistrimet për DV-2027 mbeten të mbyllura dhe nuk ka një datë të re zyrtare për hapjen e aplikimeve. Çështja pritet të vijojë në Gjykatën e Apelit, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të merret një vendim përfundimtar dhe nëse programi do të rihapet për aplikantët.