Bashkëshortja e Cucurellas shpëton tragjedisë hekurudhore në Spanjë
Bashkëshortja e futbollistit Marc Cucurella, Claudia Rodríguez, ka shpëtuar për pak minuta një aksidenti hekurudhor në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 74 persona.

Bashkëshortja e futbollistit të Kombëtares së Spanjës, Marc Cucurella, Claudia Rodríguez, i ka shpëtuar për pak minuta një aksidenti të rëndë hekurudhor në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 74 persona. Rodríguez ishte duke udhëtuar drejt Malagës me një tren që qarkullonte pas njërit prej trenave të përfshirë në përplasjen tragjike të së mërkurës. Pas aksidentit, treni me të cilin ajo udhëtonte u detyrua të ndryshonte drejtim dhe të kthehej në Madrid. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo tregoi se ishte mirë fizikisht, por se ngjarja e kishte tronditur thellë. “Po udhëtoja drejt Malagës me trenin pasues dhe jam në shok. Dua të shpreh gjithë mbështetjen time për familjarët dhe miqtë e viktimave”, shkroi Rodríguez. Ajo sqaroi se treni me të cilin udhëtonte nuk ishte prekur nga aksidenti, pasi distanca nga trenat e përfshirë në përplasje ishte e konsiderueshme. “Jam mirë, miqtë e mi. Treni im nuk u prek aspak, sepse distanca nga treni i përfshirë në aksident ishte e madhe. Na u desh vetëm të ktheheshim dhe të drejtoheshim për në Madrid, pasi po udhëtonim në të njëjtën linjë”, bëri të ditur ajo. Bashkëshortja e Cucurellas theksoi se ideja që edhe treni i saj mund të ishte përfshirë në një fatkeqësi të tillë e kishte lënë të tronditur, duke shtuar se kjo nuk mund të krahasohej me vuajtjet e pasagjerëve dhe familjeve të viktimave. Sipas bilancit të publikuar nga autoritetet spanjolle, të paktën 74 persona kanë humbur jetën nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë, ndërsa rreth 550 persona ndodheshin në të dy trenat në momentin e aksidentit. Tragjedia ndodhi të mërkurën në komunën e Ordas, në rajonin e Kastiljes-La Mançës, në pjesën qendrore të Spanjës. Sipas raportimeve paraprake, në aksident u përfshinë një tren i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tjetër i operatorit privat Iryo. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë, ku janë shpallur tri ditë zie kombëtare.