Psoriaza, sëmundja e lëkurës që mund të trajtohet
Rreth 2-3% e popullsisë shqiptare vuajnë nga psoriaza, një sëmundje e lëkurës që mund të prekë edhe fëmijët dhe është më e shprehur në grupmoshën 20-60 vjeç.

Psoriaza është një sëmundje e lëkurës që manifestohet me eritemë, skuqje të lëkurës dhe skuama, të cilat mund të jenë të imëta ose në formën e pllakave psoriatike. Mund të shfaqet me vatra të vogla, por mund të kemi edhe pllaka të mëdha psoriatike në lëkurë. Shpesh herë mund të prekë edhe skalpin e kokës, duke shkaktuar zbokth të shtuar dhe kruarje. Ndërkohë, psoriaza ka edhe një karakteristikë tjetër: prek thonjtë dhe artikulacionet.
Mjekët vënë theksin te diagnoza e hershme, pasi psoriaza rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të tjera. Sëmundja lidhet edhe me stresin, i cili mund të ndikojë në përkeqësimin dhe shpërthimin e saj. Faktorët përkeqësues, i pari është stresi, duhanpirja, rënia e nivelit të vitaminës D3, medikamente të ndryshme, obeziteti dhe sëmundjet infektive, të cilat mund të shoqërohen me shpërthimin e sëmundjes.
Edhe më alarmues është fakti se pacientët e prekur nga psoriaza përballen shpesh me stigmatizimin nga shoqëria. Psoriaza ndikon ndjeshëm në shëndetin mendor, sepse është një sëmundje që krijon stigmë. Këta pacientë përballen me paragjykime për paraqitjen e tyre në ambiente publike. Së dyti, sipas statistikave, pacientët që vuajnë nga psoriaza kanë një rrezik më të lartë për depresion.
Nisur nga kjo panoramë, mjekët dermatologë apelojnë se pacientët e prekur nga psoriaza nuk janë vetëm. Diagnostikimi i hershëm mundëson mbajtjen nën kontroll të sëmundjes përmes trajtimeve bashkëkohore, përfshirë preparatet biologjike, të cilat kanë nisur të përdoren edhe në Shqipëri.