Rekordi i pjesëmarrjes në votimin e parakohshëm në SHBA
Mbi 47.9 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet e mesimandatit në SHBA, duke shënuar një rekord të ri të pjesëmarrjes në votimin e parakohshëm.

Mbi 47.9 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet e mesimandatit në SHBA, duke shënuar një rekord të ri të pjesëmarrjes në votimin e parakohshëm. Sipas të dhënave të publikuara nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës, deri më tani janë regjistruar 47,922,669 vota të hershme në të gjithë vendin. Kjo shifër tejkalon rekordin e mëparshëm prej 45.9 milionë votash, të vendosur gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit në vitin 2022.
Rritja e pjesëmarrjes është veçanërisht e dukshme në shtetet e lëkundura, ku gara mes kandidatëve demokratë dhe republikanë pritet të jetë e fortë. Në Teksas, ku kandidati demokrat për Senat, James Tallarico, synon të japë fund dominimit republikan prej tre dekadash, më shumë se 6 milionë qytetarë kishin votuar deri mërkurën. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 50% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022.
Pjesëmarrja e lartë është raportuar edhe në Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut. Ndërkohë, në Kansas, ku senatori republikan po përballëhet me një garë të vështirë, votimi i parakohshëm gjatë javës së kaluar ishte pothuajse dy të tretat më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2022.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se demokratët janë më aktivë në votimin e hershëm. Në shtetet ku monitorohet përkatesia politike e votuesve, rreth 44% e atyre që kanë votuar deri më tani janë demokratë, kundrejt 31% republikanë dhe 25% votues të pavarur ose të mbështetës të partive të vogla.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shifrat e votimit të hershëm nuk mund të konsiderohen si një parashikim i rezultatit përfundimtar. Përkatesia partiake e votuesve nuk tregon domosdoshmërisht se për cilin kandidat kanë votuar, ndërsa miliona amerikanë pritet të u drejtohen kutive të votimit ditën zyrtare të zgjedhjeve.