Dekriminalizimi nuk imponoi standardin e pastërisë në politikë
Ligji i dekriminalizimit nuk ka arritur të krijojë një standard të qëndrueshëm politik që t’i detyrojë partitë të distancohen nga kandidatë me rekorde kriminale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbylli pa një vendim përfundimtar verifikimin e Kreshnik Gjon Gjonajt, kandidat i Partisë Socialdemokrate (PSD) në Lezhë në zgjedhjet e 11 majit 2025, pasi ai nuk fitoi mandat deputeti. Gjonaj kishte deklaruar se ishte hetuar ose gjykuar në Itali për një konflikt të çastit dhe se ishte shpallur i pafajshëm, por verifikimi i thelluar i Prokurorisë së Përgjithshme evidentoi një dënim të formës së prerë për transferim të paligjshëm të lëndës narkotike. Procedura u mbyll pa një vendim përfundimtar për çështjen, pasi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve argumentoi se kishte humbur objekti dhe se Gjonaj nuk kishte fituar mandat. Vendimi nuk përfshin faktin se ai kandidoi në kushtet e ndalimit të ligjit dhe mori 359 vota preferenciale në listën e socialdemokratëve. Rasti i Gjonajt nuk është i vetmi, por një praktikë e zakonshme e verifikimeve të integritetit që tejkalojnë afatin ligjor 60-ditor. “90% e rasteve të verifikimit të thelluar janë verifikuar jashtë afatit 60 ditor,” tha për BIRN Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi. Në dy raunde zgjedhjesh parlamentare dhe lokale përgjatë viteve 2021-2025, janë mbyllur pa vendim përfundimtar procedurat e verifikimit për 20 kandidatë në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. KQZ nuk e konsideron veten si përgjegjëse të vetme për vonesat, pasi procesi përfshin Prokurorinë e Përgjithshme, Gjendjen Civile, Burgjet dhe, në disa raste, autoritete ligjore të vendeve të tjera. Ndërkohë, dalja pa vendim përfundimtar jo vetëm që nuk i mban personat me precedentë penalë jashtë garave elektorale, por nuk i ndalon ata që të kandidojnë sërish në zgjedhjet e ardhshme. Rezultatet e një procedure të mëparshme të mbyllur pa vendim përfundimtar nuk kanë, sipas Celibashit, vlerë juridike dhe nuk mund të prodhojnë pasoja në një kandidim të ardhshëm. Ligji nuk imponoi standard politik Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” u miratua më 17 dhjetor 2015, pas një fushate gati dyvjeçare të opozitës, me synim pengimin e personave me precedentë të rëndë kriminalë të merrnin ose ushtronin funksione publike, si dhe me qëllim rritjen e transparencës përmes vetëdeklarimit të së kaluarës penale. Megjithatë, pas një dekade, ligji nuk ka arritur të krijojë një standard të qëndrueshëm politik që t’i detyrojë partitë të distancohen nga kandidatë me rekorde kriminale, ndërsa verifikimet e vonuara dhe procedurat e mbyllura pa vendim përfundimtar kufizojnë efektin e tij. Rasti i kandidatit të PSD-së pasqyron një problematikë të vazhdueshme të evidentuar nga Instituti i Studimeve Politike, një organizatë civile që monitoron nga afër zbatimin e këtij ligji. Sipas ISP-së, mbyllja e çështjes në rastet kur verifikimi i thelluar evidenton të dhëna që ngrenë pikëpyetje mbi saktësinë e vetëdeklarimit lë të paqartë se si do të përdoren këto gjetje nëse kandidati rikandidon në zgjedhjet e ardhshme. Në monitorimin për periudhën prill–korrik 2026, ISP shqyrtoi 13 vendime të KQZ-së, shumica të lidhura me plotësimin e vendeve vakante në këshillat bashkiakë. Raporti evidenton kufizime në zbatimin e mekanizmit të dekriminalizimit, veçanërisht në rastet kur procedurat nuk përfundojnë me një vendim përfundimtar për shkak se subjekti nuk ka fituar mandat. Për Afrim Krasniqin, drejtor i ISP-së, problemi kryesor është se një mekanizëm që duhej të ishte i përkohshëm, për t’u zëvendësuar nga standardet e vetë partive dhe institucionet parandaluese, vazhdon të jetë i nevojshëm edhe dhjetë vjet më pas. “Partitë politike kanë vijuar të përfitojnë nga kandidatë me të kaluar kriminale, duke i vendosur në pozicione jofituese në listat zgjedhore, ku ata mund të sigurojnë vota pa pasur gjasa të marrin mandat. Në këto raste, verifikimi mund të mos përfundojë, pasi kandidati nuk zgjidhet, ndonëse kontributi i tij në rezultatin zgjedhor është realizuar,” tha Krasniqi. Ai evidenton edhe mënyra të tjera përmes të cilave, sipas tij, partitë kanë shmangur efektet e drejtpërdrejta të ligjit. “Disa prej personave që humbën mandatet kanë mbështetur anëtarë të familjeve të tyre me rekorde të pastra për t’i zëvendësuar në Kuvend, ndërsa të tjerë kanë marrë poste drejtuese në partitë politike, duke ruajtur ndikimin në jetën publike,” sugjeron ai. Krasniqi kritikon gjithashtu institucionet për moskrijimin e një baze të dhënash kombëtare për personat e dënuar brenda dhe jashtë vendit, e cila do të mundësonte verifikime më të shpejta. Sipas tij, KQZ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë arritur të ndërtojnë një mekanizëm parandalues që të shmangë kandidimin e personave që nuk përmbushin kriteret e integritetit. Për pasojë, argumenton ai, “dekriminalizimi prodhoi efekt në vitet e para, duke larguar disa individë nga Kuvendi, por nuk arriti të shndërrohej në një standard më të gjerë etik për përfaqësimin politik dhe administratën publike”. Edhe Celibashi pranon se mekanizmi parandalues që u jep mundësinë partive që të verifikojën në një fazë të hershme emrat për kandidatë nuk ka funksionuar. “Deri më sot, në KQZ nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga partitë politike për verifikimin paraprak të kandidatëve,” tha ai. Ndërsa për rastet kur procedura mbyllet pa një vendim përfundimtar, Celibashi argumentoi se rezultatet e një procedure të mëparshme të mbyllur pa vendim përfundimtar nuk kanë vlerë juridike dhe nuk mund të prodhojnë pasoja në një kandidim të ardhshëm.