Origjina e Halloween-it dhe historia e tij të shumëvjeçare
Halloween-i është një festë e njohur në të gjithë botën, por pak njerëz e dinë se origjina e tij lidhet me tradita shumë të vjetra, që datojnë mijëra vite më parë.

Çdo vit, më 31 tetor, rrugët, shtëpitë dhe ambientet publike mbushen me kunguj të gdhendur, kostume të frikshme, fantazma dhe dekorime të pazakonta. Halloween-i është kthyer në një nga festat më të njohura në shumë vende të botës, por pak njerëz e dinë se origjina e tij lidhet me tradita shumë të vjetra, që datojnë mijëra vite më parë.
Historia e Halloween-it lidhet me festën kelte të quajtur Samhain, e cila shënonte fundin e sezonit të korrjeve dhe fillimin e dimrit. Keltët, që jetonin kryesisht në territoret e Irlandës, Skocisë dhe pjesëve të tjera të Evropës, besonin se nata e 31 tetorit shënonte një moment të veçantë, kur kufiri mes botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve bëhej më i hollë.
Sipas besimeve të asaj kohe, gjatë kësaj nate shpirtrat mund të ktheheshin në botën e njerëzve. Për t’u mbrojtur nga ndikimet e tyre, njerëzit ndiznin zjarre të mëdha dhe vishnin kostume, shpesh të frikshme, me shpresën se do të shmangnin takimet me shpirtrat.
Me kalimin e shekujve, traditat e vjetra u ndërthurën me festa të krishtera. Kisha caktoi 1 nëntorin si Ditën e të Gjithë Shenjtorëve, e njohur në anglisht si All Saints’ Day. Mbrëmja para kësaj feste u quajt All Hallows’ Eve, emër nga i cili besohet se ka ardhur fjala Halloween.
Më vonë, zakonet e ndryshme u përhapën dhe u transformuan, duke marrë forma të reja në vende të ndryshme. Halloween-i u bë veçanërisht popullor në Shtetet e Bashkuara, ku emigrantët irlandezë dhe skocezë sollën me vete tradatat e tyre.
Një nga simbolet më të njohura të kësaj feste është kungulli i gdhendur, i njohur si Jack-o’-lantern. Tradita lidhet me një legjendë irlandeze për një personazh të quajtur Stingy Jack, i cili, sipas tregimit popullor, endet në errësirë me një dritë brenda një perimeje të gdhendur.
Fillimisht, në Irlandë dhe Skoci përdornin rrepa ose perime të tjera për të krijuar fenerë të tillë. Kur tradita mbërriti në Amerikë, kungulli u bë zgjedhja më e përhapur, pasi ishte më i madh dhe më i lehtë për t’u gdhendur.
Sot, Halloween-i festohet me kostume, festa tematike, dekorime, filma horror dhe lojën e njohur Trick or Treat, ku fëmijët shkojnë derë më derë duke kërkuar ëmbëlsira. Megjithatë, mënyra e festimit ndryshon nga një vend në tjetrin.
Edhe pse sot shihet kryesisht si një festë argëtuese, Halloween-i mbart pas vetes një histori të gjatë, ku ndërthuren besimet e lashta, tradatat popullore dhe ndikimet fetare. Data 31 tetor nuk është zgjedhur rastësisht: ajo ruan lidhjen me festën e lashtë Samhain dhe me mbrëmjen që i paraprin Ditës së të Gjithë Shenjtorëve.