Kosovë & Rajon

Mali i Zi mund të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE në qershor 2027

3 min leximPublikuar më

Burimi: Top Channel ·

Mali i Zi mund të mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026 dhe marrëveshja e anëtarësimit të nënshkruhet në qershor 2027.

Foto nga burimi: Dritë “jeshile” për Malin e Zi, mund të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE në qershor 2027

Mali i Zi mund të mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026 dhe marrëveshja e anëtarësimit të nënshkruhet në qershor 2027, sipas një plani paraprak të Komisionit Evropian.

Plani është pjesë e një udhërrëfyesi që Komisioni Evropian pritet ta publikojë më 4 nëntor për katër vendet që kanë përparuar më së shumti drejt anëtarësimit në BE: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Sipas dokumentit që siguroi Radio Evropa e Lirë, Mali i Zi pritet t’i mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave gjatë dy konferencave ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor të këtij viti.

Më pas, në pranverën e vitit 2027, pritet të përfundojë hartimi i marrëveshjes së anëtarësimit, e cila mund të nënshkruhet deri në verë, mundësisht në qershor.

Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave.

Të paktë edhe një kapitull pritet të mbyllet deri në fund të kësaj jave.

Komisioni Evropian, megjithatë, thekson se këto afate nuk janë përfundimtare.

Sipas tij, përparimi i negociatave do të varet nga sa shpejt Mali i Zi i përmbush kushtet për anëtarësim.

Komisioni sqaron, gjithashtu, se plani nuk garanton përfundimin e negociatave apo nënshkrimin e marrëveshjes brenda afateve të parashikuara.

Vendimet përkatëse do të varen edhe nga institucionet e BE-së, përfshirë Këshillin e BE-së, Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.

Dy konferenca ndërqeveritare deri në fund të vitit Mali i Zi synon t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti.

Për këtë qëllim, janë planifikuar dy konferenca ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor.

Sipas udhërrëfyesit të Komisionit Evropian, në konferencën e nëntorit pritet të mbyllen përkohësisht pesë kapituj:

Energjia, Politika e transportit, Siguria ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Tatimet dhe Lëvizja e lirë e mallrave.

Komisioni planifikon që konfercat e fundit ndërqeveritare të mbahen në dhjetor, kur pritet të mbyllen kapitujt e mbetur:

Shërbimet financiare, Politika rajonale dhe koordinimi i fondeve strukturore, Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, Dispozitat financiare dhe buxhetore, Gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe Institucionet dhe çështjet e tjera.

Këta janë ndër kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, pasi përparimi në ta ndikon në ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Sipas rregullave të BE-së, ata hapen ndër të parët dhe mbyllen të fundit.

Prandaj, edhe në planin e Komisionit Evropian, mbyllja e tyre është paraparë në fazën përfundimtare të negociatave.

Në paketën e zgjerimit, që Komisioni Evropian do ta publikojë të mërkurën, vlerësohet se Mali i Zi ka vazhduar të shënojë përparim në reformat që lidhen me të drejtat themelore, duke përmbushur kriteret përfundimtare për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24.

Megjithatë, mbyllja e kapitujve është e përkohshme.

Sipas rregullave të negociatave, marrëveshja për secilin kapitull nuk konsiderohet përfundimtare deri të arrihet një marrëveshje e përgjithshme për të gjithë kapitujt.

Drafti i marrëveshjes së anëtarësimit në pranverën e vitit 2027

Komisioni Evropian parashikon që hartimi i marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian të përfundojë në pranverën e vitit 2027.

Për ta arritur këtë, Komisioni duhet ta paraqesë pjesën e mbetur të draftit në fillim të vitit të ardhshëm.

Për hartimin e marrëveshjes është duke punuar një grup i posaçëm pune, i themeluar në prill, i cili mblidhet pothuajse rregullisht në Bruksel.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.