Identifikohen mbetjet e tre intelektualëve kosovarë që u vranë gjatë luftës në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është bërë identifikimi i mbetjeve të tre intelektualëve kosovarë që u vranë gjatë luftës në vitin 1999.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është bërë identifikimi i mbetjeve të tre intelektualëve kosovarë që u vranë gjatë luftës në vitin 1999. Identifikimi u bë nëpërmjet ADN-së në Kulladër e Jabukë. Tre intelektualët që u identifikuan janë Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
Kurti ka treguar se Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar familjet e tre intelektualëve dhe u ka shprehur ngushëllime. "Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta", ka thënë Kurti.
Në shtator u identifikuan edhe Idriz Rreci, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu, pjesë e "Grupit të Intelektualëve". Gërmimet e korrikut dhe gushtit në tre lokacione në Zubin Potok kanë zhvarrosur mbetjet mortore të 23 personave, që dyshohen se u përkasin "Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës" të zhdukur me forcë në 1999. Tre persona po hetohen për rastin nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.