Operacioni i "dorëzimit të kontrolluar" në Padovë: 12 kilogramë marijuanë dhe një surprizë në derë
Operacioni i "dorëzimit të kontrolluar" i Guardia di Finanza në Padovë rezultoi në zbulimin e 12 kilogramë marijuanë të përzier me kanabinoidë sintetikë, me vlerë mbi 100 mijë euro.

Një porosi e pazakontë droge përfundoi në duart e autoriteteve italiane. Një burrë në zonën e Padovës priste të merrte 12 kilogramë marijuanë të përzier me kanabinoidë sintetikë, me vlerë tregu mbi 100 mijë euro, por në vend të korrierit, në derë iu shfaqën efektivët e Guardia di Finanza. Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza e Padovës, pas dyshimeve të ngritura gjatë kontrolleve në një kompani transporti dhe dërgesash. Paketa kishte mbërritur nga Republika Çeke dhe ishte sinjalizuar nga qentë antidrogë. Pas marrjes së autorizimit nga autoritetet gjyqësore, efektivët kontrolluan dërgesën dhe zbuluan brenda saj rreth 12 kilogramë marijuanë. Hetuesit vendosën të mos ndërprisnin menjëherë transportin, por të organizonin një operacion të ashtuquajtur të “dorëzimit të kontrolluar”, me qëllim identifikimin e personit që do të merrte drogën. Paketa vijoi rrugën deri në adresën e përcaktuar, ku u tërhoq nga një burrë që banonte në zonën e Padovës së Poshtme. Menjëherë pas marrjes së saj, financa italiane ndërhyri dhe kreu kontrolle në banesën e tij. Gjatë kontrollit në banesë, efektivët zbuluan edhe 155 gramë hashash, 85 gramë të tjera marijuanë, dy peshore elektronike precize dhe një bllok shënimesh të shkruara me dorë, ku ishin regjistruar transaksione dhe shkëmbime parash. Sipas hipotezës së hetuesve, këta materiale mund të lidhen me aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burri është denoncuar dhe është nën hetim, ndërsa procedimi ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake. Një nga elementet më të veçanta të operacionit u zbulua gjatë analizave laboratorike të lëndës narkotike. Kontrolllet fillestare kishin treguar një përmbajtje relativisht të ulët të THC-së, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit. Megjithatë, analizat më të thelluara të kryera nga Laboratori i Toksikologjisë Ligjore në Padova zbuluan praninë e substancës MDMB-4en-PINACA, një kanabinoid sintetik. Sipas hetuesve, kjo substancë mund të shkaktojë efekte më të forta se kanabisi tradicional dhe dyshohet se përdorej për të ndryshuar përbërjen e produktit bimor. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar dhe origjinën e lëndës narkotike.