Balliu tërhiqet nga Kombëtarja: Zbulohet e vërteta me mbrojtësin shqiptar
Mbrojtësi 34-vjeçar Ivan Balliu ka vendosur të mos e përfaqësojë më Shqipërinë, pas 24 ndeshjesh me fanellën kuqezi.

Mbrojtësi 34-vjeçar Ivan Balliu ka vendosur të mos e përfaqësojë më Shqipërinë, pas 24 ndeshjesh me fanellën kuqezi. Dëmtimet e fundit dhe mosha janë ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë zgjedhje, ndërsa Balliu dëshiron të përqendrohet tashmë te karriera në klub.
I formuar në akademinë e Barcelonës dhe me një karrierë të ndërtuar kryesisht në futbollin spanjoll, Ivan Balliu zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë për shkak të origjinës shqiptare të babait të tij. Përpara se të bashkohej me kuqezinjtë, ai kishte qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Spanjës.
Debutimi me Shqipërinë erdhi më 6 tetor 2017, në përballjen ndaj Spanjës, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2018. Që nga ajo ditë, Balliu u bë pjesë e disa cikleve të Kombëtares, duke ofruar një alternativë të rëndësishme në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ai ishte pjesë edhe e skuadrës që siguroi kualifikimin historik në Europianin e vitit 2024, ku u aktivizua në një ndeshje, duke luajtur 90 minuta të plota.
Bilanci i tij me fanellën kuqezi është 24 ndeshje, 1.780 minuta aktivizim, dy asistime dhe asnjë gol. Nëntë vite në të cilat mbrojtësi kontribuoi në disa fushata ndërkombëtare, duke qenë një alternativë me eksperiencë në repartin defensiv.
Largimi i Balliut krijon një tjetër çështje për trajnerin Rolando Maran, që duhet të rishikojë alternativat në krahun e djathtë të mbrojtjes. Zgjedhja më e natyrshme mbetet Elseid Hysaj, i cili ka eksperiencën e nevojshme për të mbuluar këtë pozicion.