Tirana: Qyteti që prodhon gati gjysmën e ekonomisë shqiptare
Ekonomia shqiptare po rritet, por ndërkohë qarqet mbeten pas. Tirana prodhon gati gjysmën e ekonomisë, ndërsa qarqet të tjera rriten me një ritëm shumë më të ngadaltë.

Shqipëria po rritet ekonomikisht, por jo të gjitha qarqet po ecin me të njëjtin ritëm. Gati gjysma e ekonomisë prodhohet në Tiranë, ndërsa në disa qarqe rritja mezi kap 1%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se hendeku ekonomik mes kryeqytetit dhe pjesës tjetër të vendit mbetet i thellë.
Në vitin 2024, Tirana prodhoi 46.94% të gjithë Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, ndërsa rajoni Qendër përfaqësoi 52.87% të ekonomisë shqiptare. Por diferencat shfaqen edhe më qartë kur shohim sa prodhim ekonomik llogaritet për çdo banor. Një banor i Tiranës dhe një banor i Kukësit jetojnë në të njëjtin shtet, por PBB për frymë në qarqet e tyre ka një diferencë prej gati 1 milion lekësh. Tirana kryeson me 1 milion e 556 mijë lekë, ndërsa Kukësi renditet i fundit me vetëm 568 mijë lekë.
Pas tij vijnë Dibra me 610 mijë dhe Berati me 613 mijë lekë. Në anën tjetër, Durrësi regjistron 1 milion e 152 mijë lekë, ndërsa Fieri kalon 1 milionin. Por edhe ritmi i rritjes ekonomike është krejt i ndryshëm. Ndërsa ekonomia shqiptare u rrit me 4.03%, Tirana shënoi një rritje prej 7.08%, kundrejt vetëm 0.19% në Shkodër dhe 0.27% në Dibër.
Edhe Jugu dhe Veriu mbeten larg ritmit të Qendrës, me rritje përkatësisht 1.31% dhe 1.60%, ndërsa Qendra u rrit me 6.43%. Ekonomia shqiptare nuk ka vetëm një ritëm por edhe një hartë të pabarabartë zhvillimi. Tirana përqendron pjesën më të madhe të prodhimit, Jugu mbështetet fort te bujqësia dhe disa qarqe të Veriut mbeten në fund të renditjes për prodhimin ekonomik për frymë.