Hetimi për abuzimin seksual në Pejë: Zëdhënësi i Prokurorisë për “Shqipëria Live”
Prokuroria e Pejës ka nisur hetimet për abuzimin seksual të një 13-vjeçare nga i ati, ndërsa ai është paraburgosur për 30 ditë.

Një 13-vjeçare në Pejë ka denoncuar babain e saj se e ka abuzuar seksualisht, ndërsa Prokuroria ka nisur tashmë hetimet, ndërsa i akuzuari ndodhet në paraburgim.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi se vajza tashmë është marrë në mbrojtje dhe po kryhen hetimet e tjera. Ai tha se rasti është njoftuar në Policinë e Kosovës dhe menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para hetimore.
“Fillimisht, rasti është njoftuar në Policinë e Kosovës, ku menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para hetimore. Janë siguruar të gjithë mekanizmat institucionalë për kujdesin dhe trajtimin e duhur të viktimës. Është intervistuar viktima dhe më pas është bastisur shtëpia e personit të dyshuar. Është arrestuar personi i dyshuar, është ndaluar për 48 orë dhe njëkohësisht është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Është mbajtur seanca dëgjimore dhe njëkohësisht gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë. Gjithashtu, janë sekuestruar prova materiale, të cilat do të ekzaminohen dhe njëkohësisht do të vërtetohen pretendimet e shfaqura mbi dy vepra penale”, tha Nikçi.
I akuzuari është i ndaluar dhe është paraburgosur për 30 ditë, ndërsa viktimja është nën përkujdesjen e të gjithë mekanizmave shtetërorë dhe momentalisht gjendet në strehimore. Prokurori i Shtetit ka filluar ndërmarrjen e veprimeve dhe do të merren në intervistë të gjithë personat të cilët mund të kenë informata.