Vrasja e mamanës dhe tentimi për vetëvrasje: Dëshmia tronditëse e një të riut shqiptar në Itali
Një 21-vjeçar shqiptar ka vrarë nënën e tij dhe tentuar të vrasë veten në Itali. Ai është marrë në pyetje në repartin e psikiatrisë dhe ka pranuar autorësinë e krimit.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një 21-vjeçar shqiptar ka vrarë me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, në banesën e tyre në Chiari, në provincën e Brescias.
Sipas mediave italiane, Eduart Xhani është marrë në pyetje në repartin e psikiatrisë së spitalit, ku ndodhet i shtruar pas ngjarjes. Gjatë bisedës me hetuesit, ai ka pranuar autorësinë e krimit.
“Kam vrarë mamin tim”, deklaroi Xhani.
I riu ka treguar gjithashtu se kishte tentuar t’i jepte fund jetës përpara se të vriste nënën. Ndërkohë, përgjigjet e tij për motivet e krimit kanë qenë të paqarta, çka ka bërë të nevojshme edhe vlerësimin nga specialistët e shëndetit mendor.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur 21-vjeçari ndodhej në kuzhinë me nënën e tij. Në rrethana që ende po hetohen, ai ka marrë një thikë dhe e ka goditur disa herë në fytyrë dhe në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas krimit, i riu u largua nga banesa dhe për rreth dhjetë orë lëvizi me automjet në zonat e Brescias dhe Cremonës.
Mëngjesin e ditës pasardhëse, rreth orës 07:00, ai u paraqit me automjetin e tij Audi përpara Karabinierëve në Cremona.
Sapo një efektiv doli për ta pritur, 21-vjeçari rrëfeu vrasjen e nënës së tij.
Sipas dëshmive të personave që e njihnin, ai ishte një djalë i mbyllur në vetvete dhe i heshtur. Mësohet se më parë kishte punuar si punëtor krahu, ndërsa së fundmi ishte punësuar si kamerier në një restorant të Burger King në Rovato.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë, ndërsa 21-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve specialistë.