Rrjeti i trafikimit të emigrantëve Shqipëri-Greqi asgjësohet, 10 të arrestuar dhe 500 emigrantë të trafikuar
Policia greke dhe Europol kanë asgjësuar një rrjet të madh të trafikimit të emigrantëve që vepronte përmes territorit shqiptar drejt Greqisë. 10 persona u arrestuan, duke përfshirë një grua 33-vjeçare nga Shqipëria, dhe mbi 500 emigrantë u tërhoqën.

Një operacion i zhvilluar në Selanik dhe në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit me Shqipërinë, rezultoi në arrestimin e 10 persona, mes tyre edhe një grua 33-vjeçare nga Shqipëria. Shtatë prej tyre ishin shtetas grekë dhe dy të tjerë sirianë. Sipas policisë, rrjeti vepronte të paktën që nga qershori i vitit 2025 dhe kishte organizuar 41 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, duke trafikuar mbi 500 emigrantë, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina.
Emigrantët kalonin në këmbë përmes shtigjeve të vështira malore nga Shqipëria drejt Greqisë. Në zonën kufitare të Thesprotisë, anëtarët e rrjetit i strehonin përkohësisht në banesa apo çadra të improvizuara, duke u shitur ushqime, ujë dhe karta telefoni me çmime tepër të larta. Më pas organizohej transporti i tyre drejt Athinës, Patrës dhe zonave bujqësore të Peloponezit, ku shumë prej tyre përfundonin duke punuar pa sigurime dhe dokumente të rregullta.
Fitimet e paligjshme të organizatës përllogariten në të paktën 750 mijë euro. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 21 emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi, ndërsa u sekuestruan automjete, telefona, para dhe pasaporta. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikimit.