Organizatat e magjistratëve dhe prokurorëve kërkojnë ndalimin e ndërhyrjeve dhe sulmeve ndaj tyre
Organizatat e magjistratëve dhe prokurorëve kanë reaguar ndaj Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke kërkuar zbatimin e rekomandimeve për sistemin e drejtësisë dhe ndalimin e ndërhyrjeve dhe sulmeve ndaj tyre.

Në një deklaratë të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë vlerësuar progresin e bërë në funksionimin e gjyqësorit dhe forcimin e pavarësisë përmes përfundimit të procesit të vetingut. Megjithatë, ata ngrenë shqetësime për problematikat që vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, organizatat theksojnë se kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata ngrenë gjithashtu shqetësimin për konfliktin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat, i cili solli bllokimin e buxheteve të gjyqësorit dhe mospagimin e pagave të muajit gusht.
Organizatat ngrenë gjithashtu shqetësimin për mungesën e masave të mjaftueshme të sigurisë për magjistratët, duke kujtuar vrasjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, në tetor 2025. Sipas raportit, tetë magjistratë janë aktualisht nën mbrojtje, gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë.
Në përfundim, tre organizatat i kërkojnë institucioneve përgjegjëse të ndalin ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, të hartojnë reformën e pagave në konsultim me gjyqësorin, të garantojnë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të sigurojnë burimet njerëzore e teknike të nevojshme për sistemin e drejtësisë.