"Tutorja shqiptare e prostitucionit në Paris: Mariela M. kërkon lirimin nga burgu"
Mariela M., një shqiptare e 37 vjeç, është në burg për të dyshuar se është një nga figurat kryesore të një rrjeti prostitucioni në Paris. Ajo kërkon lirimin nga burgu dhe pretendon se është e pafajshme.

Mariela M., një shqiptare e 37 vjeç, është në burg për të dyshuar se është një nga figurat kryesore të një rrjeti prostitucioni në Paris. Ajo është në paraburgim që prej 21 shkurtit 2026, pasi është marrë zyrtarisht e pandehur në Paris për veprat penale të tutorimit të rënduar të prostitucionit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ajo është e përfshirë në një rrjet prostitucioni të vendosur në zonën Porte de Vincennes, në bulevardin Carnot, në distriktin e 12-të të Parisit, gjatë periudhës 2023–2026. E lindur në Shqipëri, kjo grua, e cila nuk ka precedentë penalë, dyshohet se ushtron prostitucion prej pesë vitesh dhe pretendon se fiton nga 1.000 deri në 2.000 euro në javë.
Sipas përllogaritjeve të hetuesve, të bazuara në gjurmimin e transfertave bankare dhe dërgesave të parave, shuma totale e përfituar gjatë kësaj periudhe arrin në 128.000 euro. Gjithçka nisi kur Brigada për Luftimin e Prostitucionit mori dëshminë e një prostitute rumune, e cila punonte për grupin shqiptar. Ajo deklaroi se duhej t’u dorëzohej sistematikisht një pjesë të fitimeve dy prostitutave më të vjetra në këtë aktivitet.
Hetimet konfirmuan se këto dy gra, Peluta M. dhe Mariela M., grumbullonin paratë e përfituara nga disa gra të tjera. Më pas, shumat transferoheshin jashtë Francës. Të dyshuarat, së bashku me disa prostituta të tjera, u vunë nën vëzhgim. Ato raportonin për aktivitetin e tyre te partnerët, të cilët jetonin në Shqipëri.
Hetimet financiare konfirmuan se rrjeti drejtohej nga vendi i tyre i origjinës, Shqipëria, nga vëllezërit Z, të njohur prej kohësh nga drejtësia franceze për vepra të ngjashme të kryera në Francë. “Madje, njëri prej tyre, edhe pse ndodhet në burg, vazhdon të japë urdhra nga qelia, me ndihmën e partneres së tij”, shton gjyqtari.
Duke ndjekur lëvizjet e parave, policia gjyqësore zbuloi edhe një rrjet ndërmjetësues në Belgjikë, të përbërë nga disa tutorë prostitucioni, mes tyre edhe një person i njohur me pseudonimin “Klaudi”. Roli i tij ishte grumbullimi i parave. Ai kishte gjithashtu marrëdhënie intime me Mariela M. dhe rivalen e saj, Peluta M., të cilat funksiononin si “drejtuese të rrugës” (përgjegjëse për organizimin e prostitucionit në terren). Mariela udhëtonte drejt Belgjikës për t’u takuar me Klaudin dhe për t’i dorëzuar shuma parash.
Gjatë hetimeve u morën në pyetje edhe një numër prostitutash. Disa prej tyre refuzuan të flisnin për rolin e Marielës, ndërsa të tjera e implikuan atë drejtpërdrejt në aktivitetin e paligjshëm. Më 17 shkurt 2026, Mariela u arrestua së bashku me dy të dyshuara të tjera në një hotel në Pantin, në departamentin Seine-Saint-Denis. Ato u shoqëruan dhe u mbajtën në ambientet e Policisë Gjyqësore në Porte de Clichy, në distriktin e 17-të të Parisit. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan një shumë prej 9.000 eurosh cash.