Jasir Asani e kalon Cristiano Ronaldon në Champions League të Azisë
Jasir Asani është në një periudhë fantastike në futbollin aziatik dhe ka një statistikë që e vendos përpara Cristiano Ronaldos në edicionin e Ligës së Kampionëve të Azisë.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka lënë pas portugezin në numrin e golave të shënuar në edicionet e Ligës së Kampionëve të Azisë, në formatin AFC Champions League Elite. Deri më 6 nëntor 2026, Asani numëron plot 12 gola në këtë kompeticion, ndërsa ylli portugez ka realizuar 9. Një diferencë prej tre golash në favor të futbollistit shqiptar, i cili po vazhdon të bëjë diferencën me fanellën e Esteghlal. Edhe në sezonin aktual 2026-2027, shifrat flasin në favor të Asanit. Në katër ndeshje të zhvilluara, 30-vjeçari ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë një asist. Ai ka gjetur rrugën e rrjetës ndaj Al-Sadd dhe Al-Gharafa, ndërsa më 3 nëntor ishte heroi i Esteghlal, duke shënuar golin e fitores në minutën 90+1′ në triumfin 1-0 ndaj Al-Shamal SC. Në krahun tjetër, Cristiano Ronaldo ka realizuar vetëm një gol në dy paraqitje në këtë edicion të Champions League të Azisë. Portugezi shënoi në fitoren 3-1 të Al-Nassr ndaj FC Neftchi Fergana, më 12 tetor. Numri i tij i paraqitjeve është ndikuar edhe nga shtyrja e ndeshjes së Al-Nassr ndaj Al-Wasl. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Ronaldo ka humbur instinktin e tij të golashënuesit. Përkundrazi, 41-vjeçari vazhdon të shkruajë histori në futbollin saudit. Më 29 tetor realizoi një tregolësh ndaj Al-Kholood, duke e çuar në 985 numrin e golave të shënuar gjatë karrierës së tij. Kështu, portugezit i duhen edhe vetëm 15 gola për të arritur shifrën historike prej 1,000 realizimesh. Së fundmi, Ronaldo ka njoftuar gjithashtu tërheqjen nga kombëtarja e Portugalisë, duke i dhënë fund një kapitulli të jashtëzakonshëm me përfaqësuesen. Për momentin, në duelin e veçantë statistikor në Champions League të Azisë, epërsia i takon shqiptarit. Jasir Asani 12, Cristiano Ronaldo 9. Një shifër që e bën sulmuesin kuqezi protagonist të një prej statistikave më interesante të futbollit aziatik. Ndërkohë që si për çudi as në listën e publikuar mesditën e sotme nga trajneri i përfaqësueses shqiptare Rolando Maran, për dy ndeshjet e muajit nëntor ndaj Bjellorusisë dhe Finlandës, emri i Asanit nuk gjendet. Një zgjedhje teknike dhe çështje me sa duket preferencash që janë të ndryshme nga Sylvinho, i cili riktheu dhe zbuloi Asanin në versionin kquezi dhe Rolando Maran që nuk i bëjnë përshtypje, as performancat dhe as statistika të tilla.