Dyshohet se vrau bashkëshorten me insulinë, detajet e reja për 35-vjeçarin
35-vjeçari italian Nadir Rossi akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Jessica Dalla Chiara, përmes një injeksioni me insulinë. Detaje të reja kanë dalë në dritë, duke ngritur dyshime të rëndësishme.

35-vjeçari italian Nadir Rossi akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Jessica Dalla Chiara, përmes një injeksioni me insulinë. Ai ndodhet prej disa ditësh në burgun e Veronës, nën akuzën e vrasjes me dashje.
Sipas mediave italiane, një sërë sjelljesh të tij pas vdekjes së bashkëshortes kanë ngritur dyshime te prindërit e viktimës. Mes episodeve të përmendura janë takimet me të dashurën në ditën e funeralit, organizimi i një feste ditëlindjeje në banesën ku kishte jetuar Jessica, si dhe interesimi për ekzistencën e një police sigurimi jete.
Ditën e funeralit Rossi kishte drekuar me të dashurën dhe më pas ishte takuar sërish me të në darkë, duke marrë me vete edhe vajzën e tij të mitur. Të nesërmen, çifti dyshohet se kishte planifikuar edhe një udhëtim në bregdet.
Dyzet ditë pas vdekjes së Jessicës, 35-vjeçari organizoi një festë ditëlindjeje për të dashurën në banesën që kishte ndarë me bashkëshorten në Bussolengo, në provincën e Veronës. Festa përfundoi me ndërhyrjen e karabinierëve, pasi fqinjët kishin telefonuar policinë për shkak të zhurmës së madhe.
Nëna e Jessicës ka deklaruar se Rossi kishte organizuar edhe fishekzjarrë, ndërsa mësoi më pas se mbesa e saj kishte kaluar natën te gjyshërit nga ana e babait, kurse Rossi dhe e dashura e tij kishin fjetur në të njëjtin shtrat ku kishte ndërruar jetë Jessica.
Sipas dëshmive të familjarëve, dyshimet u shtuan edhe më shumë pas disa episodeve të tjera. Nëna e viktimës ka pretenduar se në korrik të vitit 2024, Rossi kishte hyrë në banesën e saj dhe kishte çaktivizuar sistemin e alarmit.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se kishte mësuar që 35-vjeçari ishte interesuar nëse ajo kishte një policë sigurimi jete, duke qenë se përfituese e mundshme do të ishte mbesa e tij.
Një tjetër pikë konflikti mes Rossit dhe familjes së Jessicës kanë qenë çështjet financiare. Sipas prindërve të viktimës, ai kishte kërkuar menjëherë paratë e sigurimit të jetës dhe kishte shitur automjetin e Jessicës, duke mos pranuar që nipi i tyre ta blinte atë.
Familjarët kanë treguar gjithashtu se gjatë organizimit të funeralit, ku miqtë dhe të njohurit kishin kontribuar financiarisht, nëna e viktimës ishte përballur me akuza dhe fyerje, duke u cilësuar si “hajdute dhe e pandershme”.
Të gjitha këto episode janë përfshirë në materialet e përgatitura nga ekspertja e kriminalistikës Roberta Bruzzone dhe, sipas raportimeve, kanë ndihmuar në forcimin e dyshimeve që çuan në arrestimin e Rossit.
Ndërkohë, 35-vjeçari do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykatësja për hetimet paraprake, Carola Musio, ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës së sigurisë me arrest shtëpie.
Hetimet për vdekjen e Jessica Dalla Chiarës vijojnë, ndërsa Nadir Rossi konsiderohet i dyshuar dhe akuzat ndaj tij mbeten për t’u shqyrtuar nga drejtësia.