Faik Konicës, një pasuri të çmuar e trashëgimisë së tij ekspozuar në Korçë
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka e Korçës kanë ekspozuar në Korçë elemente të çmuara të trashëgimisë së Faik Konicës për rastin e 150-vjetorit të lindjes së tij.

Pjesë nga biblioteka personale e Faik Konicës, të sjella nga Bostoni, letra origjinale, fotografi të panjohura më parë, si dhe vula origjinale Ex Libris, e derdhur në argjend, me të cilën Konica vuloste vëllimet e tij personale, janë ekspozuar për herë të parë në Korçë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bibliotekën e Korçës dhe studiuesit, i kanë sjellë publikut elemente të çmuara të trashëgimisë së Konicës, përmes të cilave zbulohet formimi i tij intelektual dhe bota e tij personale. Këto dëshmi të gjalla të trashëgimisë së Faik Konicës përbëjnë një pasuri të çmuar dhe vijnë si një ftesë e hapur për publikun për të njohur më nga afër madhështinë e një prej figurave dhe personaliteteve më të ndritura të historisë shqiptare.