Mali i Zi mbyll dy kapituj të tjerë, kryeministri Spajić: Jemi gati për fazën përfundimtare
Mali i Zi ka mbyllur dy kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke u afruar në fazën përfundimtare të integrimit evropian.

Mali i Zi ka bërë një hap tjetër drejt Bashkimit Evropian. Gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, vendi mbylli dy kapituj të tjerë negociues dhe tani ka 23 kapituj të mbyllur gjithsej. Plani i Brukselit është që negociatat të përfundojnë deri në dhjetor 2026 dhe marrëveshja e anëtarësimit të nënshkruhet në qershor 2027.
Sipas mediave malazeze, kapitujt e mbyllur këtë javë janë, kapitulli 1 dhe 12, që kanë të bëjnë konkretisht me lëvizjen e lirë e mallrave dhe sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe kujdesin e bimësisë. Kryeministri Milojko Spajić tha se fokusi i Malit të Zi është i njëjtë – reformat në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nxitja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe rritja e standardeve të jetesës.
“Sot dërguam një mesazh se Mali i Zi është gati për fazën përfundimtare të integrimit evropian”, tha ai. Me këtë ritëm, kanë mbetur edhe 10 kapituj për t’u mbyllur deri në fund të vitit. Mbyllja e 5 kapitujve në Nëntor 2026, përfshinë energjinë, transportin dhe tatimet. Mbyllja e kapitujve më të vështirë 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, priten të mbyllen në Dhjetor 2026. Në mesin e nëntorit komisioni pritet t’i dorëzojë Këshillit të BE-së projekt-pozicionet e fundit negociuese. Në pranverë 2027 pritet përfundimi i tekstit të Marrëveshjes së Anëtarësimit, ndërsa në qershor 2027 pritet nënshkrimi i marrëveshjes, pas votimit në Parlamentin Evropian. Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha 27 shtetet anëtare dhe nga vetë Mali i Zi. Në periudhën e tranzicionit, Podgorica do të marrë pjesë si vëzhguese në institucionet e BE-së. Brukseli paralajmëron se afatet janë orientuese: “Nëse Mali i Zi bën hapa pas në reforma, anëtarësimi mund të shtyhet dhe mund të vendosen masa mbrojtëse”. “Jemi të përkushtuar që Mali i Zi të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit. Por reformat duhet të vazhdojnë, sidomos për sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar”, tha nga Brukseli Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, që do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së.